

TIRANË — Mungesa e thellë e fuqisë punëtore dhe vala e emigracionit kanë përfshirë edhe sektorin e kujdesit social në Shqipëri, duke i detyruar qendrat private për të moshuarit të kërkojnë staf jashtë vendit për të plotësuar vakancat e kujdestarëve dhe mjekëve geriatër.
Përballë vështirësive në gjetjen e punonjësve vendas, drejtuesit e këtyre qendrave po orientohen drejt tregjeve të huaja. Hysni Kuka, administrator i një qendre rezidenciale për të moshuarit në Tiranë, ka bërë të ditur për revistën Monitor se po shqyrton mundësinë e angazhimit të dy shtetasve nga Filipinet. Një nismë e ngjashme po ndiqet edhe nga një qendër në zonën e Saukut, e cila po vlerëson punësimin e dy infermiereve nga Tunizia, të cilat kanë pasur më parë eksperiencë pune në sektorin e shërbimeve gjatë sezonit turistik në vend.
Megjithatë, ky proces po shoqërohet me sfida dhe pikëpyetje nga ana e administratorëve, të cilët shprehen skeptikë për shkak të mosnjohjes së gjuhës shqipe, procedurave burokratike të punësimit, si dhe mungesës së qëndrueshmërisë në afatgjatë të stafit të huaj.
Përpjekjet e qendrave private vijnë në një kohë kur pagat neto për kujdestarët variojnë nga 55 mijë deri në 70 mijë lekë në muaj për një orar standard prej 8 orësh, ndërsa tarifat mujore për akomodimin e të moshuarit nisen nga 70 mijë deri në 120 mijë lekë, në varësi të gjendjes së tij shëndetësore.
Prirja e punësimit të shtetasve të huaj nuk është më një dukuri e izoluar, por një trend në rritje të shpejtë në ekonominë shqiptare. Të dhënat zyrtare nga Regjistri Elektronik për to Huajt tregojnë se deri në qershor të vitit 2026, numri i të huajve të punësuar në Shqipëri ka arritur në 22,6 mijë persona, nga 18,1 mijë që ishte në fund të vitit 2025.
Rreth 90% e tyre janë të pajisur me leje unike si punëmarrës, ku në krye të listës për sa i takon shtetësisë renditen shtetasit nga Filipinet me 3,552 leje pune (rreth 16% e totalit), të ndjekur nga indianët me 3,423 të punësuar dhe egjiptianët me 3,283 të tillë. Përveç kujdesit për të moshuarit, shtetasit e huaj, sidomos nga Filipinet, po integrohen gjithnjë e më shumë në familjet shqiptare si dado për fëmijë apo staf mirëmbajtjeje shtëpish.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






