

TIRANË — Përshkallëzimi i konflikteve në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimit të karburanteve që prej muajit mars kanë rënduar ndjeshëm xhepat e konsumatorëve shqiptarë, ndërkohë që përfituesi më i madh nga kjo situatë rezulton të jetë buxheti i shtetit.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Doganave, të përpunuara nga revista Monitor, nga muaji mars deri në korrik buxheti ka arkëtuar rreth 20.2 miliardë lekë nga importi i naftës dhe benzinës (përmes taksës doganore, akcizës dhe TVSH-së). Kjo përbën një rritje prej 9.1% ose rreth 1.7 miliardë lekë (afërsisht 18 milionë euro) më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat tregojnë se ky shtim i të ardhurave vjen tërësisht si efekt i rritjes së çmimeve dhe jo i rritjes së konsumit, pasi importi për të njëjtën periudhë ishte 387 milionë litra, ose 0.6% më pak se një vit më parë. Aktualisht, një litër naftë tregtohet me 219 lekë dhe benzina me 205 lekë, nga 175 lekë që kushtonin deri në muajin mars.
Në kontrast me vendet e tjera të rajonit që kanë ndërmarrë lehtësi fiskale, qeveria shqiptare vijon të mbajë strukturën më të rënduar të taksimit në Ballkan. Përveç akcizës dhe TVSH-së 20%, mbi çmimin e naftës aplikohen edhe dy taksa shtesë: taksa e qarkullimit (27 lekë për litër) dhe taksa e karbonit (3 lekë për litër). Kjo bën që barra fiskale të përbëjë rreth 50% të çmimit në pakicë, duke e bërë naftën në Shqipëri 41% më të shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut dhe 30% mbi mesataren e rajonit.
Ndërkohë që qeveria ka arkëtuar miliona euro shtesë nga TVSH-ja e lartë, konsumatorët dhe operatorët e transportit janë detyruar të përballojnë një faturë shtesë prej rreth 80 milionë eurosh më shumë për të blerë të njëjtën sasi karburanti gjatë periudhës mars-korrik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






