

Rezultatet e PISA 2025 tregojnë një përmirësim të Shqipërisë në performancën e 15-vjeçarëve në matematikë, shkencë dhe lexim, krahasuar me vlerësimin e vitit 2022.
Në matematikë, Shqipëria ka shënuar një rritje prej 65 pikësh, ndërsa në shkencë përmirësimi është me 59 pikë. Në lexim, rritja rezulton me 50 pikë.
Në renditjen rajonale, Shqipëria pozicionohet e para në matematikë dhe shkencë, duke lënë pas vende si Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Greqia.
Rezultati është përshëndetur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili ka vlerësuar performancën e nxënësve shqiptarë.
“Të parët në rajon, duke zënë vendin që kemi ambicie të zëmë në çdo drejtim dhe në çdo sektor”, deklaroi Rama, duke theksuar rolin e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave në këtë arritje.
Megjithatë, përtej përmirësimit në renditjen rajonale, të dhënat e PISA-s nxjerrin në pah edhe dobësi të rëndësishme në nivelin bazë të aftësive.
Sipas rezultateve, 61% e nxënësve shqiptarë arrijnë nivelin minimal të aftësive në shkencë, ndërsa në matematikë këtë nivel e arrijnë 55% e tyre.
Situata paraqitet më problematike në lexim, ku rreth gjysma e 15-vjeçarëve shqiptarë nuk arrijnë nivelin bazë të aftësive të përcaktuar nga PISA.
Në performancën absolute, Shqipëria renditet e katërta nga fundi në lexim në rajon, duke u lënë pas nga vende si Rumania, Mali i Zi dhe Serbia.
Rezultatet tregojnë gjithashtu se vetëm 1% e nxënësve shqiptarë në shkencë dhe 2% në matematikë arrijnë nivelet më të larta të performancës.
Në vlerësimin PISA 2025 morën pjesë 5,959 nxënës nga 160 shkolla shqiptare. Testimi ndërkombëtar zhvillohet në rreth 90 vende të botës dhe synon të masë aftësitë e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






