

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas Hoxhës, lëvizjet e fundit administrative dhe politike brenda Bashkisë së Tiranës janë pjesë e përpjekjeve të Veliajt për t’i treguar gjykatës se ai mund të përfitojë një masë më të butë sigurie.
Hoxha argumentoi se koha në të cilën po ndërmerren këto veprime është domethënëse, pasi ato po zhvillohen në prag të seancës gjyqësore.
“Veliaj po bën të gjitha përpjekjet. E nisi si e nisi, e mbani mend në fillim edhe me goditje poshtë brezit, sepse ai ashtu e perceptoi atë. Mori atë që mori, ndryshoi taktikën, ra në qetësi, e mbani mend nisi atëherë sulm prokurorit, ndaj tjetrit, tjetrit. Sot jemi në një fazë tjetër. Tani Veliaj po bën një përpjekje tjetër”, tha gazetari.
Ai u ndal edhe te ndryshimet dhe lëvizjet e fundit në administratën e Bashkisë së Tiranës, duke argumentuar se këto veprime mund të ishin ndërmarrë edhe më herët.
“Kjo që ai bëri, pra lëvizja kryesisht administrative dhe politike në Bashkinë e Tiranës, kur ai i mori frenat e bashkisë, ai mund ta bënte edhe më përpara këtë. Pse s’e ka bërë më përpara, mund ta hiqte atë Ristanin dhe më përpara”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij, lëvizjet politike dhe administrative, së bashku me angazhimin e avokatëve ndërkombëtarë, synojnë krijimin e një situate që mund të ndikojë në vendimin e gjykatës për masën e sigurisë.
“Të gjitha tregojnë që ai po bën të gjitha përpjekjet për të marrë një masë sigurie më të butë”, deklaroi Hoxha.
Gazetari theksoi se mbetet për t’u parë se cila do të jetë masa e sigurisë që mund të vendoset, ndërsa sipas tij, synimi i Veliajt është të shmangë vijimin e qëndrimit në arrest me burg.
“Pra të marrë një masë më të zbutur dhe nga aty pastaj ai mund të fillojë një strategji tjetër, e cila mund t’i lejojë atij të ndjekë një betejë tjetër ligjore”, përfundoi Artan Hoxha.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






