Transmetuar më 09-09-2026, 19:20

Tregu shqiptar i automjeteve po pëson një ndryshim të dukshëm, me rritjen e shpejtë të makinave elektrike dhe forcimin e pranisë së prodhuesve kinezë.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, në Shqipëri u regjistruan për herë të parë rreth 48.8 mijë automjete, 3% më shumë se një vit më parë. Brenda këtij totali, rreth 5,700 ishin automjete elektrike, ose 3.4 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Mjetet elektrike përbënin rreth 11% të regjistrimeve të reja.

Ndryshimi po vihet re edhe në origjinën e automjeteve. Kina u rendit e dyta në periudhën janar–qershor, me rreth 8,200 mjete dhe 16.9% të regjistrimeve të para, kryesisht automjete të reja. Koreja e Jugut kryesoi me rreth 12.3 mijë mjete, ndërsa Gjermania dhe Italia, që tradicionalisht kanë dominuar tregun shqiptar, u renditën pas tyre.

Një prej markave që po përfiton më shumë nga kjo tendencë është BYD. Prodhuesi kinez shiti rreth 3,500 automjete në Shqipëri gjatë vitit 2025, ndërsa vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar rreth 3,848 mjete të markës.

Rritja e interesit për automjetet elektrike kineze lidhet me kombinimin e çmimeve konkurruese dhe teknologjisë. Modelet e reja ofrojnë bateri të avancuara, sisteme inteligjente, pajisje të shumta elektronike dhe nivele të larta komforti, duke u kthyer në alternativë ndaj automjeteve europiane të përdorura.

Interesi për BYD në Shqipëri është krijuar përpara hyrjes zyrtare të markës, përmes importeve të pavarura. Tashmë, kompania pritet të konsolidojë praninë e saj përmes “Dream Auto CG”, e cila do të mbulojë shitjen, garancinë, pjesët origjinale dhe shërbimin pas shitjes.

Hyrja zyrtare pritet të sjellë në treg modele të destinuara për tregun europian dhe të përshtatura me kërkesat e homologimit dhe sigurisë. Për konsumatorët, kjo mund të nënkuptojë më shumë garanci për standardet teknike, mirëmbajtjen, përditësimet e software-it dhe shërbimin pas shitjes.

Megjithatë, çmimi nuk do të jetë faktori i vetëm në zgjedhjen e konsumatorëve. Siguria, autonomia, infrastruktura e karikimit, jetëgjatësia e baterisë, garancia dhe kostot e mirëmbajtjes po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.

Me rritjen e regjistrimeve elektrike dhe zgjerimin e prodhuesve kinezë, tregu shqiptar po largohet gradualisht nga modeli tradicional i bazuar kryesisht te makinat e përdorura europiane. Nëse kjo tendencë vijon me të njëjtin ritëm, automjetet elektrike dhe markat kineze pritet të zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të tregut vendas.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit