Transmetuar më 09-09-2026, 16:45

Kina do të vazhdojë të zgjerojë në mënyrë aktive hapjen dhe do të marrë masa më konkrete për të lehtësuar investimet e huaja, tha të martën zëvendëspresidenti Han Zheng gjatë fjalës së tij në ceremoninë e hapjes së Panairit të 26-të Ndërkombëtar për Investimet dhe Tregtinë (CIFIT) në qytetin bregdetar lindor të Xiamen-it.

Ndërsa bota ka hyrë në një periudhë të re turbullirash e transformimesh, me pasiguri dhe faktorë destabilizues në rritje, prirja historike e hapjes dhe e bashkëpunimit mbetet e pandryshuar, u shpreh Han, duke shtuar se CIFIT është më i rëndësishëm se kurrë.

Zv.presidenti shprehu shpresën se kompanitë nga e tërë bota do të shfrytëzojnë mundësitë e krijuara nga hapja dhe zhvillimi i vendit, do të vazhdojnë të thellojnë praninë e tyre në tregun vendas dhe do të punojnë për të arritur përfitime të përbashkëta.

Ai vuri në dukje se vendi është i përkushtuar që të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar në risitë shkencore, teknologjike e industriale, bazuar në plotësueshmërinë, barazinë dhe përfitimet e përbashkëta.

"Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të nxitur e mbrojtur një ekosistem të hapur global inovacioni dhe për të kultivuar së bashku nxitësit e rinj të rritjes me përfitime për mbarë botën, si edhe për të promovuar zhvillimin më të qëndrueshëm, më të lirshëm e më përfshirës të zinxhirëve globalë industrialë e të furnizimit, përballë rritjes së proteksionizmit tregtar e rreziqeve gjeopolitike, duke mbrojtur së bashku sistemin tregtar shumëpalësh", – shtoi Han.

Panairi i sivjetshëm ka tërhequr më shumë se 1 200 institucione qeveritare zyrtare dhe delegacione biznesi nga 129 vende e rajone, si edhe 30 organizata ndërkombëtare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit