Transmetuar më 09-09-2026, 16:13

Përplasja me armë në Laprakë/ 36-vjeçari dyshohet se plagosi dy miqtë dhe u largua me makinë TIRANË – Policia e Tiranës ka zbardhur autorësinë e dyshuar dhe rrethanat e plagosjes së dyfishtë me armë zjarri, të regjistruar mbrëmjen e 8 shtatorit në zonën e Laprakës.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 21:20, ku mbetën të plagosur dy persona, Dashamir Tahiri dhe Bledar Dauti, të cilët janë miq me njëri-tjetrin.

Pas veprimeve hetimore, uniformat blu kanë identifikuar si autor të dyshuar 36-vjeçarin Arbër Krrashi, banues në Tiranë. Sipas hetimeve paraprake, Krrashi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy personave, për motive të dobëta.

Pas të shtënave, 36-vjeçari dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet.

Dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se po vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 36-vjeçarit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe motivin e përplasjes.

Njoftimi:

Tiranë/Zbardhen brenda 24 orëve, autorësia dhe rrethanat e plagosjes së dyfishtë me armë zjarri, kryer mbrëmë, në Laprakë.

Identifikohet autori i dyshuar dhe punohet intensivisht për kapjen e tij.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore kryer nga specialistët e sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të plagosjes me armë zjarri, të shtetasve D. T. dhe B. D. (miq me njëri-tjetrin), rreth orës 21:20 të datës 08.09.2026, në Laprakë, u mundësua identifikimi i autorit të dyshuar të rastit, shtetasit A. K., 36 vjeç, banues në Tiranë.

36-vjeçari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 2 shtetasve, për motive të dobëta, dhe është larguar me automjet. Të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën.

Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit A. K.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të metejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit