Transmetuar më 09-09-2026, 15:35

TIRANË – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur verifikimet lidhur me denoncimet e bëra nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj gjatë një interviste televizive në emisionin “Çim Peka Live” të Syri TV.

Në kuadër të këtyre veprimeve, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka administruar përmes platformës YouTube materialin e plotë të emisionit ku Ahmetaj bëri deklaratat dhe publikoi audiopërgjimet.

Ndërkohë, sipas informacionit të publikuar, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, ka firmosur një kërkesë drejtuar Syri TV, për vënien në dispozicion të të gjithë materialit të emisionit, përfshirë edhe versionet bruto të audiopërgjimeve të transmetuara.

Në qendër të verifikimeve janë gjashtë audiopërgjime të bëra publike gjatë intervistës. Ahmetaj pretendon se materialet lidhen me një skemë të dyshuar që përfshin abuzimin me fondet publike, asetet shtetërore dhe aktivitetin ndërkombëtar në fushën e armëve.

Në deklaratat e tij, ish-zëvendëskryeministri ka përmendur biznesmenin izraelit Ron Yefet, kompaninë “Timak Defense” dhe atë që ai e ka cilësuar si “koncepti KAYO”.

Ahmetaj ka ngritur gjithashtu pretendime lidhur me industrinë ushtarake shqiptare, duke deklaruar se armë prodhohen dhe paketohen në Shqipëri për t’u dërguar më pas në zona konflikti. Ai i ka lidhur këto pretendime edhe me kryeministrin Edi Rama.

Për momentin, bëhet fjalë për verifikime paraprake dhe jo për një përfundim hetimor apo konstatim fajësie. Pretendimet e bëra publike nga Ahmetaj pritet të vlerësohen nga SPAK mbi bazën e materialeve të administruara dhe të dhënave që mund të mblidhen gjatë procesit të verifikimit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit