

Stresi njofton pauzë nga muzika: “Kjo nuk është lamtumirë, dua të përqendrohem te projekte të tjera”
Pas publikimit të disa këngëve të mbajtura pezull, Stresi do të marrë një pauzë nga muzika për t’iu kushtuar projekteve të tjera. Reperi u dërgoi një mesazh të gjatë falënderimi fansave: “Do të shihemi shumë shpejt"
Tiranë – Reperi Stresi (Arkimed Lushaj) ka njoftuar se do të tërhiqet përkohësisht nga muzika, pasi të publikojë disa këngë që, sipas tij, kishin mbetur të bllokuara për arsye teknike dhe për shkak të procedurave kontraktuale me YouTube.
Artisti bëri të ditur se këngët do të publikohen sonte në orën 19:00, ndërsa më pas ai do të marrë një pauzë nga veprimtaria muzikore për t’iu përkushtuar projekteve të tjera profesionale.
“Pas këtyre publikimeve do të marr një pauzë nga muzika për një periudhë. Jo sepse kam mbaruar së thëni atë që kam për të thënë, por sepse kam disa projekte të tjera profesionale ku dua të përqendrohem dhe t’u jap gjithë energjinë time”, shkruan Stresi.
Në mesazhin drejtuar ndjekësve, reperi falënderon fansat që e kanë mbështetur ndër vite, por edhe ata që e kanë kritikuar.
“Faleminderit çdo njeriu që më ka dëgjuar, çdo fansi që ka qenë aty që nga dita e parë, çdo personi që më ka mbështetur edhe kur gjërat nuk kanë qenë të lehta. Faleminderit edhe atyre që më kanë kritikuar, sepse edhe ato fjalë kanë qenë pjesë e rrugës sime”, shprehet ai.
Stresi falënderoi gjithashtu kolegët, artistët dhe të gjithë njerëzit me të cilët ka bashkëpunuar gjatë karrierës së tij.
Ai kujtoi edhe periudhat e vështira që ka kaluar, duke theksuar se marrëdhënia me njerëzit që i kanë qëndruar pranë ka mbetur e pandryshuar.
“Kam rënë, jam ngritur, kam humbur njerëz, kam fituar njerëz… por një gjë nuk ka ndryshuar kurrë: respekti dhe dashnia për ata që më kanë qëndruar pranë”, shkruan reperi.
Megjithatë, Stresi thekson se vendimi nuk përbën largim përfundimtar nga muzika.
“Kjo nuk është lamtumirë. Thjesht po marr pak kohë për të ndërtuar diçka tjetër. Do të shihemi shumë shpejt. Dhe kur të kthehem, do të kem akoma më shumë për t’ju thënë”, përfundon ai. /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






