Transmetuar më 09-09-2026, 14:30

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dalë bllof orët e fundit me një publikim i cili doli se ishte i pavlerë, pasi produkti për të cilin ngriti alarmin, nuk ishte shitur askund në Shqipëri.

Në njoftimin e publikuar AKU thoshte se i bën thirrje konsumatorëve që nëse e kanë blerë dhe e kanë gjendje këtë produkt, ta kthejnë pranë pikave të shitjes.

Por siç mëson noa.al, faktet flasin ndryshe: "Më 31 gusht 2026, u importuan nga Italia gjithsej 16 copë sallam Galbanetto, sasi e cila më 1 shtator u dërgua e gjitha në një pikë të vetme, në Conad Ring Center, por një ditë më pas më 2 shtator 2026 u tërhoq tërësisht, pa u shitur as një produkt i vetëm, menjëherë pasi kompania u njoftua nga Italia për rastin", – tha për noa.al, administratori i rrjetit Conad në Shqipëri, Alessandro Rosa. Prononcimi erdhi pasi noa.al kërkoi një qëndrim të kompanisë për rastin.

Në këto kushte, është e qartë se AKU ka dalë bllok me njoftimin që shqetësoi sot shumë njerëz, pasi minimalisht duhet të ishte koordinuar me rrjetin shpërndarës të produktit, për të kuptuar situatën.

Fakti që produkti nuk u shit askund dhe as që gjendej në vitrina kur AKU bëri njoftimin, si dhe fakti që lajmërimi u bë një javë pasi produkti ishte tërhequr nga tregu, tregon se institucioni dështoi të kryejë punën në dobi të konsumatorit, pasi në këtë rast përhapi një alarm të panevojshëm.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit