

Pas plagosjes së 28-vjeçarit në këmbë dhe largimit nga vendngjarja, 30-vjeçari u vetëdorëzua bashkë me armën e dyshuar të krimit. Në banesë dhe automjet iu gjetën edhe armë e pajisje të tjera
Kukës – Është vetëdorëzuar në Kukës 30-vjeçari i dyshuar për plagosjen me armë të një të riu një ditë më parë në Krumë.
I dyshuari, Fatjon Dauti, rreth 30 vjeç, banues në Krumë, është paraqitur së bashku me pistoletën që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Plagosja ndodhi më 8 shtator, në rrugën e njohur si “Kryqëzimi i Spitalit”, ku pas një konflikti për motive të dobëta, Fatjon Dauti dyshohet se qëlloi me armë zjarri në këmbë Jakup Aga, 28 vjeç.
I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas të shtënave, autori i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas, pas kontakteve me familjarët, vendosi të vetëdorëzohej.
Gjatë kontrollit në automjetin dhe banesën e tij janë gjetur e sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov, një dylbi, një jelek antiplumb dhe municion luftarak.
30-vjeçari është arrestuar për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e konfliktit dhe përdorimin e armëve të sekuestruara. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






