

Vala e shpërthimit dëmtoi ambientet e zyrave dhe hodhi materiale deri në rrugë. Dyshimet e para lidhen me gazin ose avujt e benzinës
Tiranë – Detaje të reja janë mësuar për shpërthimin e ndodhur mëngjesin e sotëm në një pikë karburanti pranë Brrylit, në Tiranë, ku tre punëtorë mbetën të dëmtuar.
Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi dyshohet se ka ndodhur në ambientet e zyrave të karburantit, të cilat janë dëmtuar rëndë.
Shefi i repartit zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, deklaroi se pjesa e përparme e zyrave është dëmtuar nga vala e shpërthimit dhe materiale të ndryshme janë përhapur deri në rrugë.
Pas shpërthimit ka vijuar një rrjedhje gazi, e cila ka mbajtur flakët ndezur për disa minuta.
Zjarrfikësit kanë ndërprerë furnizimin me gaz duke mbyllur rubinetin përkatës, çka bëri të mundur izolimin e flakëve dhe vënien e situatës nën kontroll.
Sipas Goxhajt, nuk bëhej fjalë për një zjarr të përmasave të mëdha, por kryesisht për një shpërthim, i ndjekur nga flakë të shkaktuara prej rrjedhjes së gazit.
Sa i përket shkakut, ende nuk ka një përfundim zyrtar.

Dyshimet e para janë se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga gazi ose nga avujt e benzinës.
Nga ngjarja janë dëmtuar tre punëtorë të pikës së karburantit, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore.
Ekspertiza pritet të përcaktojë shkakun e saktë të shpërthimit. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






