

Muhamed Sylisufaj, 59 vjeç, humbi jetën, ndërsa Albert Dunisha, Ilir Dautaj dhe Afrim Aliaj mbetën të plagosur rëndë pasi shtylla e ndriçimit preku telat e energjisë elektrike
Një ditë pas ngjarjes ku humbi jetën Muhamed Sylisufaj dhe u dëmtuan tre punonjës të tjerë, hetimet çojnë te përgjegjësitë për sigurinë në punë. Dy zyrtarë janë ndaluar
Tropojë – Dy persona janë ndaluar një ditë pas ngjarjes së rëndë në rrugën e Dobravës, pranë fshatit Bujan në Tropojë, ku humbi jetën punonjësi i Bashkisë Muhamed Sylisufaj, 59 vjeç, ndërsa tre kolegë të tij mbetën të dëmtuar nga rryma elektrike.
Të ndaluarit janë Ndriçim Gjocaj, 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, dhe Gëzim Hasanpapa, 60 vjeç, drejtues teknik i punimeve.
Ata dyshohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ngjarja ndodhi më 8 shtator, rreth orës 10:00, kur katër punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë po vendosnin një shtyllë ndriçimi në bazament.
Sipas të dhënave të deritanishme, punonjësit kanë humbur ekuilibrin për shkak të peshës së shtyllës. Ajo ka prekur telat e energjisë elektrike dhe rryma është përcjellë te katër personat që po e mbanin.
Muhamed Sylisufaj, 59 vjeç, humbi jetën, ndërsa Albert Dunisha, 40 vjeç, Ilir Dautaj, 47 vjeç dhe Afrim Aliaj, 21 vjeç, u dërguan për ndihmë mjekësore. Sipas njoftimit të fundit, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet po përqendrohen tashmë te respektimi i rregullave të sigurisë në punë dhe përgjegjësitë e personave që drejtonin punimet.
Çështja i është kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






