Transmetuar më 09-09-2026, 10:05

Kosova do të përpiqet sërish sot të konstituojë Kuvendin, në një seancë që nis në orën 11:00, por procesi parlamentar rikthehet nën tensione politike.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vendosur të mos marrë pjesë në seancë, duke e cilësuar mënyrën e thirrjes së saj si shkelje të Kushtetutës. Ndërkohë, deputetët e LDK-së dhe PDK-së kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Vendimi i AAK-së u bë publik pas mbledhjes së Kryesisë së partisë. Kryetari Ardian Gjini deklaroi se bojkoti është mbështetur nga shumica dërrmuese e deputetëve dhe drejtuesve të partisë.

“Dua me ju treguar që sot Aleanca ka konfirmuar vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të anëtarëve të kryesisë që nesër mos me marrë pjesë edhe mos me e legjitimuar shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës nga partia që ka fituar zgjedhjet”, deklaroi Gjini.

Sipas tij, seancat për konstituimin e Kuvendit janë thirrur në kundërshtim me afatet kushtetuese. Gjini tha se AAK do të kishte marrë pjesë nëse procedura do të ishte zhvilluar brenda afateve që, sipas interpretimit të saj, përcakton Kushtetuta.

Ai paralajmëroi gjithashtu se opozita do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

LDK dhe PDK konfirmojnë pjesëmarrjen

Ndryshe nga AAK, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë vendosur të jenë të pranishme në sallën e Kuvendit.

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, tha se grupi parlamentar i partisë do të marrë pjesë me synimin për të ndihmuar në funksionalizimin e institucioneve.

“Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit, meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj”, u shpreh ajo.

Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, konfirmoi pjesëmarrjen e deputetëve të partisë.

“Ne nuk kemi përgjegjësi pse deri tash nuk është konstituuar Kuvendi. Ne çdo 48 orë kemi qenë në Kuvend”, deklaroi Hamza.

Seanca është thirrur nga kryesuesi Avni Dehari, pas dështimeve të njëpasnjëshme për zgjedhjen e kryetarit dhe konstituimin e legjislativit.

Afati kushtetues ka përfunduar më 7 gusht

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhej të konstituohej brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Ky afat ka përfunduar më 7 gusht.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas zgjedhjes së kryetarit dhe pesë nënkryetarëve. Vetëm pas këtij hapi mund të vijojë procedura për formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit të vendit.

Në këtë situatë, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka konfirmuar se deputetët e Vetëvendosjes do të marrin pjesë në seancë. Megjithatë, ai nuk ka bërë të ditur nëse do të propozohet menjëherë kandidati për kryetar të Kuvendit apo nëse do të kërkohet sërish kohë shtesë.

Marrëveshja për presidentin mbetet e pasigurt

Ngërçi politik lidhet edhe me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Më 31 gusht, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK arritën një marrëveshje për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, por mbështetja për këtë kandidaturë mbetet e pasigurt pas kundërshtimeve të disa deputetëve të LDK-së.

Aktualisht, Vetëvendosja ka 53 deputetë dhe mbështetet edhe nga 10 deputetë të komuniteteve joshumicë. Me deputetët e LDK-së që mbështesin marrëveshjen, numri i votave shkon në 74. PDK dhe AAK nuk kanë dhënë mbështetje për kandidaturën e Sejdiut.

Kushtetuta kërkon 80 vota në dy raundet e para të zgjedhjes së presidentit. Në raundin e tretë nevojiten 61 vota, por votimi mund të zhvillohet vetëm nëse në sallë janë të pranishëm të paktën 80 deputetë.

Gjashtë deputetë të LDK-së kanë dalë publikisht kundër marrëveshjes për kandidaturën e Sejdiut, duke e bërë më të vështirë sigurimin e shumicës së nevojshme.

Kurti ka deklaruar se bisedimet me partitë e tjera do të vijojnë edhe pas seancës së sotme, me synimin për të siguruar votat për zgjedhjen e presidentit dhe për të shmangur një tjetër proces zgjedhor.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit