Transmetuar më 09-09-2026, 10:03

PRISHTINË – Kosova pritet të përfitojë të ardhura të konsiderueshme nga eksporti i qymyrit, pas kontratës së lidhur mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kompanisë shtetërore të Maqedonisë së Veriut, ESM.

Marrëveshja, e nënshkruar në mes të gushtit, parashikon shitjen e rreth 3 milionë tonëve qymyr gjatë një periudhe trevjeçare. Çmimi është përcaktuar në 24.40 euro për ton, pa TVSH, duke e çuar vlerën potenciale të kontratës në rreth 73.2 milionë euro. Megjithatë, sasia e qymyrit mund të ndryshojë me plus ose minus 30 për qind, ndaj kjo shumë nuk përbën domosdoshmërisht të ardhurat përfundimtare të KEK-ut.

Eksporti vjen në një periudhë kur sistemi energjetik i Kosovës vijon të mbështetet kryesisht te termocentralet e vjetruara dhe përballet me ndërprerje të paparashikuara të prodhimit. Vendi nuk arrin të mbulojë të gjithë kërkesën për energji dhe plotëson diferencën përmes importeve.

A rrezikohet furnizimi i termocentraleve?

Eksporti i rreth 3 milionë tonëve gjatë tre viteve nënkupton mesatarisht rreth 1 milion ton qymyr në vit. Kjo përbën afërsisht një të tetën e prodhimit mesatar vjetor prej rreth 8 milionë tonësh të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit të KEK-ut.

KEK-u ka deklaruar se marrëveshja nuk do të ndikojë në furnizimin e termocentraleve dhe as në prodhimin vendor të energjisë. Kontrata parashikon gjithashtu mundësinë që furnizimi për ESM-në të pezullohet ose ndërpritet nëse rrezikohet furnizimi me qymyr i termocentraleve të Kosovës.

Në anën tjetër, ESM-ja do të mbulojë kostot e eksploatimit, pajisjeve, ngarkimit dhe transportit të qymyrit. Kompania maqedonase e ka cilësuar marrëveshjen si të favorshme për sistemin e saj energjetik, ndërsa sipas saj qymyri i Kosovës ka një vlerë mesatare kalorike prej rreth 1.950 kilokalorish për kilogram dhe është i përshtatshëm për termocentralet në Manastir dhe Osllomej.

Si synohet të përdoren të ardhurat?

KEK-u nuk ka bërë publik një plan të detajuar për investimin e të ardhurave nga kontrata. Megjithatë, Korporata ka deklaruar se paratë do të përdoren për mbulimin e kostove operative dhe kapitale, ndërsa një pjesë do të shkojë për modernizimin e infrastrukturës së Divizionit të Prodhimit të Qymyrit.

Ish-drejtori i këtij divizioni, Muhedin Haxhiu, e konsideron të domosdoshëm investimin në miniera, duke argumentuar se një pjesë e pajisjeve janë të vjetruara dhe kërkojnë riparim, mirëmbajtje, si dhe investime për përmirësimin e kushteve dhe sigurisë së punëtorëve.

Ndërkohë, profesoresha e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, Bukurije Hoxha, vlerëson se investimet duhet të shtrihen edhe në kapacitetet e prodhimit të energjisë.

Sipas saj, modernizimi i minierave dhe termocentraleve duhet të zhvillohet paralelisht, pasi rritja e prodhimit të qymyrit nuk do të ishte e mjaftueshme nëse termocentralet nuk janë në gjendje ta shfrytëzojnë atë në mënyrë efikase.

Kosova ka rezerva të mëdha, por importon energji

Kosova zotëron rezerva të konsiderueshme të qymyrit, të vlerësuara në rreth 12.5 miliardë tonë. Basenet kryesore thëngjillmbajtëse janë ato të Kosovës, Dukagjinit dhe Drenicës.

Megjithatë, këto rezerva nuk janë përkthyer në siguri të plotë energjetike. Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” janë të vjetruara dhe ndikojnë drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e prodhimit.

Sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit për Energji, gjatë vitit 2025 Kosova prodhoi 5.298 GWh energji elektrike, ndërsa kërkesa arriti në 6.944 GWh. Diferenca u mbulua përmes importeve.

Eksport apo përpunim brenda vendit?

Përtej shitjes së qymyrit si lëndë e parë, ekspertët ngrenë pyetjen nëse Kosova mund të krijojë më shumë vlerë ekonomike përmes përpunimit të tij.

Bukurije Hoxha argumenton se qymyri nuk duhet parë vetëm si mall për eksport apo si lëndë djegëse për prodhimin e energjisë. Sipas saj, përpunimi i qymyrit dhe nënprodukteve të tij brenda vendit mund të krijojë mundësi të reja ekonomike.

Ndër alternativat e përmendura janë përdorimi i hirit termik në prodhimin e çimentos dhe betonit, koksit në metalurgji, si dhe prodhimi i lëndëve të tjera përmes gazifikimit. Megjithatë, realizimi i këtyre mundësive do të kërkonte analiza të veçanta ekonomike, tregtare dhe mjedisore.

Në këtë kuadër, ish-drejtori i DPQ-së, Muhedin Haxhiu, thekson nevojën për institucione të specializuara që të analizojnë mundësitë e zhvillimit dhe përpunimit të këtij sektori.

Më 1 shtator, Qeveria në detyrë prezantoi konceptin për themelimin e Institutit Kombëtar Kërkimor për Energjinë. Sipas kryeministrit në detyrë Albin Kurti, institucioni synon të shërbejë për zhvillimin e njohurive dhe analizave që lidhen me tranzicionin energjetik.

Investime në qymyr, ndërsa Kosova synon tranzicionin energjetik

Një tjetër dilemë lidhet me faktin se Kosova, në planin afatgjatë, synon të largohet nga përdorimi i qymyrit.

Strategjia e Energjisë 2022-2031 nuk parashikon ndërtimin e termocentraleve të reja me qymyr. Në vend të tyre, synohet rritja graduale e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, me objektivin që Kosova të largohet plotësisht nga qymyri më së largu deri në vitin 2050.

Megjithatë, gjatë periudhës së tranzicionit parashikohet rehabilitimi i “Kosovës B” dhe i të paktën një njësie të “Kosovës A”, për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji. Kjo nënkupton se Kosova do të duhet të mbajë funksional prodhimin nga qymyri, ndërsa njëkohësisht ndërton kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme.

Kostoja mjedisore e qymyrit

Përdorimi i qymyrit nuk lidhet vetëm me aspektin ekonomik dhe sigurinë energjetike, por edhe me ndikimin në mjedis.

Strategjia e Energjisë evidenton nivele të larta të emetimeve nga “Kosova A” dhe “Kosova B” dhe parashikon investime për reduktimin e pluhurit, oksideve të azotit dhe dioksidit të squfurit.

Sipas Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën të vitit 2025, emetimet e SO₂, NOx dhe pluhurit u rritën gjatë vitit 2024 dhe tejkaluan kufijtë e përcaktuar.

Në këtë situatë, të ardhurat nga eksporti i qymyrit shfaqen si një mundësi për investime në sektorin energjetik, por edhe si një sfidë për mënyrën se si Kosova do ta menaxhojë periudhën e tranzicionit drejt një sistemi më pak të varur nga qymyri. Burimi (REL)

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit