Transmetuar më 09-09-2026, 09:30

TIRANË, 9 shtator 2026 – Numri i nxënësve në arsimin fillor në Shqipëri vijon të shënojë rënie, duke sinjalizuar një tjetër pasojë të tkurrjes demografike të vendit.

Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2024 në arsimin fillor u regjistruan 141,089 nxënës, nga 146,962 që ishin një vit më parë. Kjo do të thotë 5,873 nxënës më pak, ose një rënie prej rreth 4% brenda vetëm një viti.

Rënia është dukshëm më e fortë se në Bashkimin Europian. Në vitin 2024, në arsimin fillor në BE ishin rreth 23.2 milionë nxënës, 35,153 më pak se një vit më parë, ose vetëm 0.2% rënie.

Arsimi publik përballon pjesën më të madhe të rënies

Tkurrja në Shqipëri është përqendruar kryesisht në arsimin publik. Numri i nxënësve në institucionet publike ra nga 130,067 në 2023 në 123,491 në 2024, duke humbur 6,576 nxënës, ose rreth 5.1%.

Në të kundërt, arsimi privat shënoi rritje. Numri i nxënësve në institucionet private u rrit nga 16,895 në 17,598, me 703 nxënës më shumë, ose 4.2%.

Mësuesia dominohet nga gratë

Një tjetër tregues i sistemit arsimor lidhet me strukturën gjinore të mësuesve. Në Shqipëri, 87.6% e mësuesve të arsimit fillor janë gra, ndërsa burrat përbëjnë vetëm 12.4%.

Çfarë ndodh në Europë?

Në Bashkimin Europian, tabloja ndryshon në një horizont më të gjatë kohor. Krahasuar me vitin 2014, numri i nxënësve në arsimin fillor në BE ishte 2.9% më i lartë në vitin 2024, me një rritje prej rreth 659 mijë nxënësish.

Franca kishte numrin më të madh të nxënësve të arsimit fillor, me rreth 4.1 milionë, e ndjekur nga Gjermania me 3.3 milionë, Spanja me 2.8 milionë dhe Italia me 2.6 milionë.

Ndërkohë, rritjet më të mëdha relative gjatë periudhës 2014–2024 u regjistruan në Luksemburg (+21.4%) dhe Slloveni (+18.2%). Rëniet më të forta u shënuan në Poloni (-25.7%), Kroaci (-10.3%) dhe Portugali (-10%).

Më pak nxënës për mësues

Rënia e numrit të nxënësve është reflektuar edhe në raportin nxënës-mësues. Në vitin 2024, mesatarja e BE-së ishte 13.3 nxënës për çdo mësues, nga 14.2 në vitin 2014.

Raportet më të ulëta u regjistruan në Greqi, me 7.4 nxënës për mësues, dhe Luksemburg, me 8.2. Në anën tjetër, Rumania kishte raportin më të lartë, me 18.2 nxënës për mësues.

Të dhënat tregojnë se zhvillimet demografike po ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin arsimor shqiptar. Rënia e numrit të fëmijëve të moshës shkollore pritet të ketë pasoja jo vetëm në numrin e nxënësve, por edhe në organizimin e shkollave, shpërndarjen e mësuesve dhe planifikimin afatgjatë të arsimit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit