

TIRANË, 9 shtator 2026 – Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mëngjesin e sotëm në një pikë karburanti Elda në zonën e Brrylit, në Tiranë.
Nga ngjarja raportohet se disa punonjës të biznesit kanë mbetur të lënduar dhe kanë marrë ndihmën e parë pas mbërritjes së autoambulancës në vendngjarje.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në strukturën e karburantit, ndërsa është dëmtuar edhe një godinë njëkatëshe ku qëndronin punonjësit.
Një prej tyre dyshohet se ka mbetur i bllokuar brenda godinës për disa minuta. Banorë të zonës kanë ndërhyrë për ta nxjerrë, ndërsa flakët kanë përfshirë ambientet e biznesit.
Në vendngjarje kanë mbërritur policia, shërbimet zjarrfikëse dhe ambulanca, të cilat kanë nisur ndërhyrjen për të neutralizuar situatën dhe për të shmangur rrezikun e përhapjes së zjarrit.
Si pasojë e incidentit, qarkullimi në zonë është bllokuar përkohësisht. Shpërthimi ka shkaktuar panik edhe te banorët e lagjes, të cilët kanë dalë nga banesat e tyre.
Shkaqet e shpërthimit dhe gjendja e të lënduarve pritet të sqarohen në vijim, ndërsa autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






