

TIRANA — Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një mesazhi publik pas sulmit verbal ndaj deputetes socialiste Iris Luarasi, e cila u ballafaqua me disa aktiviste në ambientet e Toptani. një qendër tregtare në kryeqytet.
Incidenti, i regjistruar përmes pamjeve filmike të shpërndara në rrjet, tregon aktivisten Arvina Lleshi dhe persona të tjerë duke i dalë në pritë deputetes Luarasi dhe duke e akuzuar atë si “hajdute” dhe se nuk përfaqëson interesat e grave.
Duke shpërndarë videon e ngjarjes, kryeministri Rama e ka cilësuar këtë akt me shprehjen: “Çfarë mjerimi mendor”. Ngjarja është dënuar edhe nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila e ka cilësuar rastin si një formë të shëmtuar dhune.
Në një reagim të publikuar më pas, deputetja Iris Luarasi ka sqaruar dinamikën e ngjarjes, duke theksuar se u sulmua verbalisht ndërsa hynte në ambientet e Kuvendit dhe qendrës tregtare nga një grup vajzash që kishin organizuar një skenë me kamera dhe fyerje.
“Më thirrën hajdute, por nderin, punën dhe emrin tim nuk lejoi të m’i vjedhë askush, aq më pak disa vajza që kanë vendosur ta quajnë dhunën aktivizëm”, u shpreh Luarasi, duke shtuar se ajo e mirëpret kritikën, por nuk pranon shpifjen, kërcënimin apo dhunën verbale.
Deputetja ka paralajmëruar se do t’i drejtohet zyrtarisht organeve të drejtësisë për këtë ngjarje, duke theksuar se fyerja nuk përbën formë proteste dhe se poshtërimi nuk mund të maskohet si aktivizëm qytetar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






