

Forumi Shqiptar në Malin e Zi ka vendosur që deputetët e tij të votojnë pro shkarkimit të kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiç, pas telegramit të ngushëllimit që ai i dërgoi familjes së Ratko Mlladiçit, i dënuar përfundimisht për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Nisma për shkarkimin e Mandiçit është paraqitur nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) dhe pritet të shqyrtohet për herë të tretë gjatë këtij mandati. Për shkarkimin nevojiten 41 vota.
Deri tani, rreth 25 deputetë kanë sinjalizuar mbështetjen për nismën. Nëse bashkohen edhe deputetët e Partisë Boshnjake, numri mund të shkojë në rreth 31 vota, ndërsa qëndrimi i Lëvizjes Evropa Tani (PES) mund të jetë vendimtar.
Kreu i DPS-së, Danijel Zhivkoviç, e ka cilësuar veprimin e Mandiçit si kalim të “vijës së kuqe”, duke argumentuar se qëndrimi i tij prek edhe imazhin dhe angazhimet europiane të Malit të Zi.
Mandiçi, nga ana e tij, ka deklaruar se ngushëllimet i ka shprehur “në përputhje me zakonet” dhe nuk është tërhequr nga qëndrimi i tij.
Kjo është hera e tretë që opozita kërkon shkarkimin e Mandiçit gjatë mandatit aktual. Dy nismat e mëparshme, në vitin 2024 dhe 2025, nuk arritën të marrin shumicën e nevojshme.
Çështja ka marrë një dimension më të gjerë politik dhe europian, pasi Mali i Zi është në procesin e anëtarësimit në BE dhe qëndrimi ndaj gjenocidit në Srebrenicë dhe krimeve të luftës mbetet një çështje sensitive në marrëdhëniet e vendit me rajonin dhe Brukselin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






