Transmetuar më 08-09-2026, 15:04

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi këtë të martë një takim me drejtuesit dhe strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, ku në fokus ishte analiza e situatës kriminale dhe efektiviteti i punës së policisë në qark.

Gjatë mbledhjes, Hita ka shprehur pakënaqësi për rezultatet e arritura nga strukturat vendore, duke kërkuar rritjen e efektivitetit dhe rezultate më konkrete në përballjen me kriminalitetin.

Sipas informacioneve të bëra publike nga takimi, një prej shqetësimeve kryesore lidhet me nivelin e zbulueshmërisë së vrasjeve, aktivitetin e grupeve kriminale, si dhe kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.

Në diskutim kanë qenë edhe problematikat që lidhen me trafikun rrugor, ndërsa një tjetër prioritet ka qenë garantimi i sigurisë në institucionet arsimore, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.

Hita u ka kërkuar strukturave vendore të intensifikojnë punën për goditjen e grupeve kriminale dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale, veçanërisht rasteve të vrasjeve. Po ashtu, është kërkuar forcimi i masave për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të lëndëve narkotike.

Takimi u zhvillua në një ditë kur Shkodra u trondit nga vrasja e 24-vjeçarit Ylber Luli. Në lidhje me ngjarjen, Policia e Shkodrës ka arrestuar Andri Vulajn, i dyshuar si autor i krimit.

Mbledhja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit me strukturat vendore në Shkodër zgjati më shumë se një orë.

Takimi ishte pjesë e një serie mbledhjesh që Hita po zhvillon në qarqe të ndryshme të vendit me drejtuesit vendorë dhe strukturat e Policisë së Shtetit. Në qendër të këtyre takimeve janë analiza e punës së strukturave policore, përcaktimi i detyrave dhe kërkesa për rezultate më të larta në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit