Transmetuar më 08-09-2026, 11:44

SHKODËR — Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Shkodër, ku mbeti i vrarë 24-vjeçari Ylber Luli. Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, shkaku i nisjes së konfliktit mes viktimës dhe autorit të dyshuar ka qenë një banalitet.

Përplasja mes 25-vjeçarit Andri Vulaj dhe Ylber Lulit dyshohet se ka filluar në zonën e Gjuhadolit, pasi dy të rinjtë janë konfliktuar verbalisht për shkak të një vështrimi mes tyre. Pas këtij momenti, situata është përshkallëzuar kur Andri Vulaj është shfaqur pranë banesës së 24-vjeçarit, ku është përfshirë në një përleshje fizike me Ylberin dhe babanë e tij, 63-vjeçarin Qamil Luli.

Gjatë dëshmisë së tij paraprake dhënë autoriteteve, Andri Vulaj ka pretenduar se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes. Ai ka deklaruar se gjatë konfliktit në banesë është sulmuar fillimisht me thikë nga babë e bir, çka e ka detyruar të nxjerrë armën e zjarrit dhe të qëllojë.

Si pasojë e të shtënave, një plumb ka goditur në kraharor 24-vjeçarin Ylber Luli. Edhe pse u transportua menjëherë drejt spitalit, i riu nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda dhe ndërroi jetë. Gjatë përplasjes fizike kanë mbetur të plagosur edhe vetë autori i dyshuar, Andri Vulaj, si dhe babai i viktimës, Qamil Luli, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shkodrës ka bërë arrestimin e 25-vjeçarit Andri Vulaj dhe ka sekuestruar armën e zjarrit të përdorur në krim. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të secilit prej personave të përfshirë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit