

TIRANË — Përfundon këtë të martë raundi i parë i regjistrimeve në universitetet e vendit, ndërsa procesi i zhvilluar përmes portalit zyrtar U-Albania u ka dhënë mundësi maturantëve të ndjekin në kohë reale ecurinë e vijës së kuqe dhe përzgjedhjen e degëve bazuar në meritë.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, informimi më i mirë i maturantëve ndër vite ka sjellë një rënie të ndjeshme të numrit të çregjistrimeve. Megjithatë, pas mbylljes zyrtare të këtij raundi, maturantët që kanë ndryshuar mendje për programin e studimit ku janë regjistruar kanë në dispozicion një afat të prerë prej 24 orësh për të kryer procesin e çregjistrimit. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitet e shkuara më pak se 1% e studentëve të rinj kanë zgjedhur të çregjistrohen në këtë fazë.
Hapat e ardhshëm dhe Formuari A2:
Riaplikimet (15–17 shtator): Maturantët që nuk mundën të siguronin një vend në raundin e parë, si dhe ata që kanë kaluar provimet e Maturës Shtetërore në sesionin e vjeshtës, do të mund të aplikojnë sërish përmes portalit U-Albania në datat 15, 16 dhe 17 shtator.
Procesi administrativ: Për maturantët që aplikojnë për herë të parë me formularin A2, afati administrativ mbetet i hapur deri më 15 shtator, duke i hapur rrugë fazave pasardhëse të regjistrimeve në institucionet e arsimit të lartë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






