Transmetuar më 08-09-2026, 07:55

Deputetët rikthehen sot në Kuvend pas pushimeve, me nisjen e sesionit të tretë të legjislaturës së 11-të. Seanca e parë plenare është parashikuar të zhvillohet në orën 17:00 dhe pritet të ketë karakter kryesisht ceremonial.

Puna konkrete parlamentare pritet të vijojë me miratimin e programit dhe kalendarit të punimeve për periudhën e re. Përpara seancës plenare, në orën 11:00, pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të diskutuar këto dy dokumente.

Reforma territoriale dhe zgjedhore në fokus Dy prej çështjeve kryesore që pritet të jenë në qendër të këtij sesioni janë reforma administrative-territoriale dhe reforma zgjedhore.

Sa i përket ndarjes territoriale, Partia Socialiste ka paraqitur një propozim për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Nisma ka hasur kundërshtime, veçanërisht nga bashkitë që parashikohet të bashkohen me njësi të tjera vendore.

Në fokus pritet të jetë edhe reforma zgjedhore, me diskutimet mes forcave politike që lidhen me ndryshimet e mundshme në kuadrin zgjedhor dhe përgatitjet për proceset e ardhshme elektorale.

Protestë para Parlamentit Nisja e punimeve parlamentare përkon edhe me një protestë të paralajmëruar para godinës së Kuvendit.

Për mbarëvajtjen e tubimit, Policia pritet të marrë masa të shtuara sigurie në zonën përreth Parlamentit, përfshirë vendosjen e barrierave metalike dhe angazhimin e forcave të policisë.

Seanca e sotme do të shënojë rikthimin e deputetëve në Kuvend, ndërsa diskutimet konkrete mbi programin dhe reformat pritet të nisin në vijim të punimeve të sesionit të ri.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit