Transmetuar më 07-09-2026, 23:20

Përdorimi i inteligjencës artificiale në sistemin parauniversitar në Shqipëri pritet të udhëhiqet nga rregulla dhe orientime të reja të përcaktuara nga Ministria e Arsimit.

Udhëzuesi i hartuar për përdorimin e inteligjencës artificiale në shkolla parashikon përdorimin e mjeteve të tilla si ChatGPT dhe platforma të tjera të IA-së, me qëllim mbështetjen e procesit mësimor dhe jo zëvendësimin e aftësive dhe rolit të mësuesit apo nxënësit.

Sipas dokumentit, mësuesit mund ta përdorin inteligjencën artificiale për përgatitjen e materialeve mësimore, krijimin e ushtrimeve, pyetjeve dhe testeve, si dhe për mbështetjen e procesit të vlerësimit të nxënësve në fusha të ndryshme.

Përdorimi i IA-së mund të shtrihet në lëndë të ndryshme, nga gjuha shqipe dhe gjuhët e huaja, te matematika, artet dhe edukimi fizik. Mjetet e inteligjencës artificiale mund të përdoren gjithashtu për përkthimin e teksteve dhe korrigjimin e gabimeve gjuhësore.

Udhëzuesi përfshin edhe shembuj të kërkesave që mësuesit mund t’u drejtojnë mjeteve të IA-së gjatë planifikimit të një ore mësimore, duke përcaktuar elementë të tillë si tema, lënda dhe niveli i klasës.

IA si mbështetje për nxënësit

Sipas Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit, inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në përshtatjen e materialeve sipas nevojave të ndryshme të nxënësve.

“Në një klasë, nxënësit kanë ritme, stile, interesa dhe nevoja të ndryshme të të nxënit. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në përgatitjen e detyrave me nivele të ndryshme vështirësie, në thjeshtimin e shpjegimeve, në krijimin e ushtrimeve shtesë për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje, ose në ofrimin e sfidave më të avancuara për nxënësit që ecin më shpejt”, thuhet në udhëzues.

Dokumenti orienton gjithashtu nxënësit që ta përdorin IA-në në mënyrë të përgjegjshme, për kërkimin e informacionit, realizimin e projekteve dhe zhvillimin e kreativitetit.

Megjithatë, përdorimi i këtyre mjeteve shoqërohet me një sërë rreziqesh, përfshirë dezinformimin, varësinë digjitale, cenimin e privatësisë dhe përdorimin joetik të përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.

Për këtë arsye, një rëndësi e veçantë i kushtohet verifikimit të informacionit të gjeneruar nga IA-ja, mbrojtjes së të dhënave personale dhe ruajtjes së rolit vendimmarrës të mësuesit.

Kujdes me plagjiaturën dhe kopjimin

Udhëzuesi trajton edhe çështjen e integritetit akademik dhe përdorimit të IA-së në detyrat e nxënësve.

“Shmangia e plagjiaturës kërkon që nxënësit të mësojnë të dallojnë ndërmjet ndihmës së pranueshme dhe kopjimit. Përdorimi i IA-së për të kuptuar një koncept, për të marrë sugjerime ose për të përmirësuar një draft mund të jetë i pranueshëm, nëse nxënësi mendon, përpunon dhe krijon vetë. Por kopjimi i drejtpërdrejtë i përgjigjeve të IA-së cenon integritetin akademik”, thuhet në dokument.

Si një mënyrë për të kontrolluar procesin e punës, mësuesve u sugjerohet t’u kërkojnë nxënësve të shpjegojnë mënyrën se si kanë arritur te produkti përfundimtar dhe jo vetëm të paraqesin përgjigjen.

Mbrojtja e të dhënave personale

Një tjetër element i rëndësishëm është anonimizimi i të dhënave. Kur mësuesit ose nxënësit përdorin mjete të inteligjencës artificiale për përgatitjen e materialeve, udhëzuesi rekomandon heqjen e emrave, inicialeve, fotografive, emrit të shkollës dhe çdo informacioni tjetër që mund të çojë në identifikimin e një personi.

Qasja e përcaktuar në udhëzues mbështetet edhe në parimet e UNESCO-s për përdorimin e inteligjencës artificiale në arsim. IA-ja konsiderohet një mundësi për përmirësimin e procesit mësimor dhe mbështetjen e nxënësve me nevoja të ndryshme, por përdorimi i saj kërkon politika të qarta, mësues të përgatitur dhe masa për mbrojtjen e nxënësve.

Sfida kryesore për sistemin arsimor shqiptar mbetet zbatimi praktik i këtyre orientimeve dhe përgatitja e shkollave, mësuesve dhe nxënësve për përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në procesin mësimor.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit