

A duhet të hiqen plotësisht karbohidratet? Po frutat, a kanë vërtet shumë sheqer? Katër bindje të përhapura që shpesh keqkuptohen kur flitet për diabetin dhe ushqyerjen.
Gjithnjë e më shumë flitet për ushqyerjen që ndihmon në mbajtjen nën kontroll të sheqerit në gjak, ndërsa karbohidratet shpesh marrin padrejtësisht një emër të keq.
Edhe pse heqja e plotë e tyre nga ushqimi mund të duket si një zgjidhje e thjeshtë, trupi dhe truri kanë nevojë për karbohidrate si një burim të rëndësishëm energjie.
Më poshtë sqarohen katër prej miteve më të përhapura për karbohidratet dhe sheqerin në gjak, si dhe ajo që tregojnë studimet.
Miti 1: Personat me diabet duhet të shmangin të gjitha karbohidratet
Një nga bindjet më të përhapura është se personat me diabet nuk duhet të hanë karbohidrate.
Megjithatë, specialistët theksojnë se nuk ka prova shkencore që tregojnë se heqja e plotë e karbohidrateve është e domosdoshme për mbajtjen nën kontroll të diabetit.
Dietologia dhe edukatorja për diabetin Erin Palinski-Wade shpjegon për “EatingWell” që citon noa.al, se konsumimi i rregullt i karbohidrateve sa më pak të përpunuara dhe të pasura me fibra, si frutat e plota, fasulet dhe thjerrëzat, mund të ndihmojë në kontrollin afatgjatë të sheqerit në gjak dhe në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës.
Shoqata Amerikane e Diabetit këshillon që personat me diabet t’u japin përparësi karbohidrateve të ndërlikuara, përfshirë drithërat e plota.
Këto ushqime mund të sigurojnë energji më të qëndrueshme dhe të ndihmojnë në ruajtjen e një niveli më të njëtrajtshëm të sheqerit në gjak.
Regjimet tepër kufizuese, që përjashtojnë plotësisht karbohidratet, shpesh janë të vështira për t’u mbajtur për një kohë të gjatë.
Në vend të kësaj, është më e dobishme që burimet e rafinuara të karbohidrateve të zëvendësohen me drithëra të plota, bishtajore dhe ushqime të tjera sa më pak të përpunuara.
Miti 2: Lloji i karbohidrateve nuk ka rëndësi, mjafton të kontrolloni sasinë
Numërimi i karbohidrateve mund të jetë një mënyrë e dobishme për të mbajtur nën kontroll sheqerin në gjak, por rëndësi ka edhe lloji i tyre.
Karbohidratet e thjeshta që gjenden në ushqimet shumë të përpunuara, si ushqimet e paketuara, biskotat dhe disa prodhime brumi, treten shpejt dhe mund të shkaktojnë rritje të menjëhershme të sheqerit në gjak.
Karbohidratet e ndërlikuara, të cilat gjenden te drithërat e plota, bishtajoret dhe frutat, shpërbëhen më ngadalë. Si rrjedhojë, glukoza kalon në gjak më gradualisht.
Specialistët këshillojnë zgjedhjen e burimeve të karbohidrateve të pasura me fibra dhe shoqërimin e tyre me proteina ose yndyrna të shëndetshme.
Ky ndërthurim e ngadalëson tretjen, ndihmon që ndjesia e ngopjes të zgjasë më shumë dhe mund të kufizojë rritjet e menjëhershme të sheqerit në gjak.
Palinski-Wade sugjeron një rregull të thjeshtë për ndarjen e pjatës:
një e treta me karbohidrate të ndërlikuara;
një e treta me burime proteinash;
një e treta me yndyrna të shëndetshme.
Megjithatë, nevojat ndryshojnë nga një person te tjetri, ndaj përbërja e vakteve duhet përshtatur sipas gjendjes shëndetësore dhe këshillës së mjekut ose dietologut.
Miti 3: Frutat përmbajnë shumë sheqer
Bananet, rrushi dhe fruta të tjera të ëmbla shpesh hiqen gabimisht nga ushqimi me arsyetimin se përmbajnë shumë sheqer.
Është e vërtetë se frutat përmbajnë karbohidrate dhe sheqerna natyrore, por njëkohësisht ato sigurojnë fibra, ujë, vitamina, minerale, lëndë kundër oksidimit dhe përbërës të tjerë të dobishëm bimorë.
Falë strukturës së tyre natyrore dhe përmbajtjes së fibrave, frutat e plota ndikojnë në nivelin e glukozës ndryshe nga lëngjet e frutave dhe prodhimet e tjera të përpunuara.
Disa studime madje kanë lidhur konsumimin më të madh të frutave të plota me nivele më të ulëta të glukozës në gjak në gjendje esëll.
Frutat e freskëta dhe të ngrira mund të jenë pjesë e një ushqyerjeje të baraspeshuar edhe për njerëzit që duhet të mbajnë nën kontroll sheqerin në gjak.
Për një ndikim edhe më të njëtrajtshëm në glukozë, frutat mund të shoqërohen me një burim proteinash ose yndyrnash të shëndetshme, si kosi, djathi i freskët ose arrat.
Nuk ka arsye për t’u trembur nga sheqeri natyror që gjendet në frutat e plota. Më e rëndësishme është të përshtatet sasia me nevojat e secilit dhe të vërehet se si lloje të ndryshme frutash ndikojnë te niveli i sheqerit në gjak.
Miti 4: Ushqyerja me pak karbohidrate është gjithmonë zgjedhja më e mirë për sheqerin në gjak
Baraspesha dhe vazhdimësia në ushqyerje janë, në përgjithësi, më të rëndësishme për kontrollin afatgjatë të sheqerit në gjak sesa regjimet shumë kufizuese që ndiqen për një kohë të shkurtër.
Pakësimi i menjëhershëm dhe i madh i karbohidrateve mund të sjellë rënie të shpejtë të peshës trupore, por në fillim një pjesë e madhe e kësaj humbjeje mund të jetë ujë dhe jo yndyrë.
Një mënyrë më pak kufizuese ushqyerjeje, ku përfshihen karbohidrate të pasura me fibra dhe që treten më ngadalë, zakonisht është më e lehtë për t’u mbajtur në afat të gjatë.
Kufizimi i tepruar i karbohidrateve mund të shkaktojë te disa njerëz uri, mungesë energjie dhe dëshirë më të madhe për ushqime që japin energji të shpejtë, duke e bërë më të vështirë vazhdimin e këtij regjimi.
Në vend që t’i heqin plotësisht karbohidratet, personat me diabet duhet të përqendrohen te zgjedhja e llojit të duhur dhe te sasia e përshtatshme për nevojat e tyre.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






