

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka ngritur akuza ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me çështjen e inceneratorëve dhe aferën e njohur si “5D”.
Në një intervistë në emisionin “Çim Peka Live”, Ahmetaj deklaroi se nuk ka pasur rol si autoritet kontraktor apo në procedurat e tenderimit për inceneratorin e Elbasanit. Ai mohoi gjithashtu të ketë zhvilluar tendera gjatë kohës që ka mbajtur detyra publike.
Duke folur për çështjen e inceneratorëve, Ahmetaj ia atribuoi Ramës nismën për krijimin e tyre dhe pretendoi se ai është përdorur si “kokë turku” në këtë çështje.
“Nuk kam qenë asnjëherë as autoritet kontraktor, as vlerësues, as tenderues për inceneratorin e Elbasanit. Nuk kam bërë asnjë tender në jetë. Janë 17 vendime fap e fap. Pse më akuzojnë për korrupsion? Inceneratorët i ka bërë kreu i organizatës. Ai donte kokë turku”, deklaroi Ahmetaj.
Ish-zëvendëskryeministri foli më tej edhe për aferën “5D”, duke pretenduar se ajo lidhet drejtpërdrejt me kryebashkiakun Erion Veliaj.
Sipas Ahmetajt, ditën kur u firmos urdhër-arresti ndaj tij, Veliaj ka festuar me disa prej drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, të cilët më pas, sipas tij, u përdorën si “koka turku”.
“Është fakt që Erion Veliaj, ditën që ka dalë firma e arrestit për mua, ka hapur një shishe uiski me drejtorët e vet, të cilët i bëri të gjithë koka turku sepse ‘5D’ është vepër e Veliajt”, u shpreh Ahmetaj.
Ai shtoi se, sipas tij, Veliaj do të kishte festuar sërish në rast se ai do të përfundonte në burg.
Deklaratat e Arben Ahmetajt janë akuza dhe vlerësime të tij lidhur me çështjet e inceneratorëve dhe “5D”. Përgjegjësia ligjore e personave të përmendur përcaktohet nga organet kompetente të drejtësisë dhe nga vendimet përfundimtare të gjykatave.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






