Transmetuar më 07-09-2026, 22:06

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka vijuar kritikat ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste, duke komentuar zhvillimet brenda kësaj force politike dhe mënyrën e drejtimit të saj.

Në një intervistë në emisionin “Çim Peka Live”, Ahmetaj e përshkroi Partinë Socialiste si një parti që, sipas tij, është ndikuar thellësisht nga mënyra e drejtimit të Ramës.

Duke folur për kryeministrin, Ahmetaj deklaroi se ai ka humbur fuqinë politike dhe e krahasoi figurativisht me një kioskë të viteve ’90 që nuk ka më çfarë të ofrojë.

“Pra, sot kreu i organizatës ngjan me një kioskë të vitit ’91, që nuk ka çfarë të shesë më. I ka shitur të gjitha”, u shpreh Ahmetaj.

Ish-zëvendëskryeministri tha se gjatë viteve të tij në politikë kishte punuar për fitoren e Partisë Socialiste dhe të Ramës, duke pranuar se kishte përgjegjësi morale për mbështetjen që i kishte dhënë atij.

“Unë kam përgjegjësi të lartë morale, se e kam theksuar 100 herë, kam punuar pa asnjë hile që ai të fitonte. Dhe Partia Socialiste të fitonte, së bashku me të”, deklaroi ai.

Ahmetaj e kritikoi ashpër Ramën për mënyrën se si, sipas tij, ka ndryshuar drejtimi politik i vendit gjatë viteve të qeverisjes së tij. Ai përdori edhe një metaforë të fortë, duke e cilësuar kryeministrin si një “qelizë alfa kancerogjene” në politikën shqiptare dhe brenda Partisë Socialiste.

“Ky njeri e filloi rrugëtimin në krye të qeverisë si shpresa e shqiptarëve për të mbyllur tranzicionin. Dhe sot, ja ka dalë të jetë qeliza alfa kancerogjene në trupin e Shqipërisë dhe të Partisë Socialiste. Unë nuk e di, është e trishtë, nëse Partia Socialiste do të shpëtojë nga metastazat e tij”, u shpreh Ahmetaj.

Deklaratat e Arben Ahmetajt janë pjesë e qëndrimit të tij politik ndaj Edi Ramës dhe Partisë Socialiste dhe, në këtë kontekst, paraqiten si opinione dhe vlerësime të tij politike.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit