Transmetuar më 07-09-2026, 22:03

Protesta kundër qeverisë dhe klasës politike ka shënuar këtë të hënë ditën e 100-të, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar vijimin dhe përshkallëzimin e tubimeve gjatë ditëve në vijim.

Me nisjen e sesionit të ri parlamentar ditën e martë, organizatorë dhe aktivistë kanë deklaruar se do të protestojnë përpara Parlamentit dhe se synojnë të pengojnë hyrjen e deputetëve në seancë.

Disa prej protestuesve kanë paralajmëruar gjithashtu përdorimin e vezëve dhe miellit ndaj deputetëve, si formë proteste, duke argumentuar se deputetët nuk i përfaqësojnë më.

Në prag të protestës së paralajmëruar, Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara sigurie pranë godinës së Parlamentit. Sipas informacioneve të bëra publike, pritet angazhimi i rreth 1,600 efektivëve të policisë dhe vendosja e barrierave metalike rreth perimetrit të godinës.

Aktivistët paralajmërojnë protesta gjatë vjeshtës

Aktivistja dhe studentja Laura Kërtalli ka deklaruar se protestat pritet të intensifikohen gjatë vjeshtës.

“Sot parashikohet një protestë paqësore sepse është dita e 100-të, por në ditët në vijim është kërkesë e vetë popullit që të ketë përshkallëzim. Presim një vjeshtë plot me përshkallëzime dhe plot me qëndresa kundrejt mbledhjeve parlamentare, sepse pika e dobët e këtij regjimi është te Parlamenti”, u shpreh Kërtalli.

Ndërkohë, protestuesit kanë bërë të ditur se do të vijojnë tubimet në ditët kur zhvillohen seancat parlamentare, ndërsa autoritetet kanë marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së nesërme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit