Transmetuar më 07-09-2026, 20:27

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar pas ceremonisë së varrimit të Ratko Mlladiçit në Beograd, duke e cilësuar atë si një ngjarje që tejkaloi kufijtë e një funerali dhe mori një karakter të qartë politik e simbolik.

Bushati thekson se prania e mijëra njerëzve në ceremoni, nderimet e bëra dhe pjesëmarrja e organizuar e veteranëve të Ushtrisë së Republikës Srpska, të cilët mbërritën në Beograd nga Banja Luka, tregojnë sipas tij se bëhej fjalë për një ngjarje përtej një ceremonie mortore.

Ai e lidh këtë situatë me politikën e ndjekur prej vitesh ndaj Serbisë, duke kritikuar atë që e konsideron si tolerim dhe mbyllje sysh nga komuniteti ndërkombëtar, me synimin për ta mbajtur Serbinë të orientuar drejt Perëndimit.

Sipas Bushatit, Bashkimi Evropian i ka dhënë përparësi “stabilitetit të rrejshëm” në vend të demokratizimit të mirëfilltë, ndërsa ceremonia për Mlladiçin duhet parë si pasojë e kësaj politike dhe jo si një episod i izoluar.

“Gjithçka që lidhet me vdekjen dhe varrimin e Mlladiçit nuk mund të shihet si një shpërthim spontan emocionesh apo si një teprim i paparashikuar. Përkundrazi, ishte një shfaqje e përgatitur dhe e sinkronizuar me mjeshtëri, në të cilën shteti, ushtria dhe kisha vepruan së bashku për të njëjtin qëllim: glorifikimin e një krimineli lufte”, shkruan Bushati.

Në reagimin e tij, ish-ministri i Jashtëm kritikon gjithashtu mënyrën se si vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, ndërtojnë marrëdhëniet me Serbinë.

Bushati argumenton se bashkëpunimi nuk duhet të mbështetet vetëm te interesat ekonomike apo formulat politike, por mbi parime të qarta që lidhen me pajtimin, distancimin nga krimet e luftës dhe pranimin e së shkuarës.

“Sot, komuniteti ndërkombëtar nuk po përballet me ndonjë befasi, por thjesht po korr frytet e oportunizmit dhe politikës së lëshimeve ndaj Serbisë. Ndërsa vendet e rajonit, duke filluar nga Shqipëria, duhet të kuptojnë se bashkëpunimi me Serbinë nuk mund të mbështetet mbi metafora, por mbi disa parime të patjetërsueshme për pajtimin, që lidhen me ndarjen e qartë nga e shkuara e errët e krimeve të luftës dhe gjenocidit”, shprehet ai.

Reagimi i plotë i Ditmir Bushatit

“Mijëra njerëz në ceremoninë e varrimit të Ratko Mlladiçit, të shoqëruar nga nderime shtetërore dhe pjesëmarrja e veteranëve të Ushtrisë së Republikës Srpska, të cilët mbërritën në Beograd në mënyrë të organizuar nga Banja Luka, dëshmon se kjo ngjarje i tejkaloi kufijtë e një funerali.

Kjo histori shkon përtej Ratko Mlladiçit. Dhe është pasojë e një politike disavjeçare të mbylljes së syve dhe tolerimit të Serbisë, për ta ankoruar atë kinse në rrjedhat perëndimore. Për vite me radhë, BE-ja ka bashkëjetuar me këtë situatë. Duke i dhënë përparësi stabilitetit të rrejshëm dhe jo demokratizimit të mirëfilltë.

Ndaj, sot nuk mund ta trajtojë organizimin e ceremonisë shtetërore për një kriminel lufte si një episod të veçuar, por si pasojë të drejtpërdrejtë të një politike të gabuar.

Gjithçka që lidhet me vdekjen dhe varrimin e Mlladiçit nuk mund të shihet si një shpërthim spontan emocionesh apo si një teprim i paparashikuar. Përkundrazi, ishte një shfaqje e përgatitur dhe e sinkronizuar me mjeshtëri, në të cilën shteti, ushtria dhe kisha vepruan së bashku për të njëjtin qëllim: glorifikimin e një krimineli lufte.

Secili prej këtyre institucioneve kishte rolin e vet të qartë në një skenar që synon rehabilitimin e politikave të viteve ’90 dhe legjitimimin zyrtar të asaj që është ndërtuar në hije për vite me radhë.

Sot, komuniteti ndërkombëtar nuk po përballet me ndonjë befasi, por thjesht po korr frytet e oportunizmit dhe politikës së lëshimeve ndaj Serbisë.

Ndërsa vendet e rajonit, duke filluar nga Shqipëria, duhet të kuptojnë se bashkëpunimi me Serbinë nuk mund të mbështetet mbi metafora, por mbi disa parime të patjetërsueshme për pajtimin, që lidhen me ndarjen e qartë nga e shkuara e errët e krimeve të luftës dhe gjenocidit.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit