Transmetuar më 07-09-2026, 19:24

BERLIN – Rezultati i zgjedhjeve rajonale në Saksoni-Anhalt ka tronditur skenën politike gjermane, me Alternativën për Gjermaninë (AfD) që shënoi një rezultat historik dhe la pas CDU-në e kancelarit Friedrich Merz.

Pas rezultatit, Merz reagoi nga Berlini duke pranuar se disfata ishte e rëndë dhe e papritur për partinë e tij. Ai e cilësoi rezultatin si një nga goditjet më të forta që CDU-ja ka marrë prej dekadash dhe paralajmëroi se pasojat e këtij votimi do të ndihen përtej Saksoni-Anhaltit.

“Jemi të gjithë thellësisht të tronditur. Nuk e prisnim një rezultat të tillë, por duhet ta pranojmë. Këto janë rregullat e demokracisë sonë”, deklaroi kancelari.

Sipas Merz, vota e qytetarëve ka sjellë një “zhvendosje tektonike” në sistemin politik gjerman, duke e tronditur CDU-në dhe duke treguar nevojën për një ndryshim të mënyrës se si qeveria komunikon me qytetarët.

Megjithatë, kancelari përjashtoi kategorikisht dorëheqjen.

“Për mua, dorëzimi nuk është një opsion. Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë time personale ndaj vendit dhe jam i vendosur ta marr këtë përgjegjësi”, u shpreh Merz.

Merz: Gjermania ka nevojë për reforma

Kancelari mbrojti kursin e reformave të qeverisë dhe tha se rezultati zgjedhor nuk do ta bëjë atë të tërhiqet nga objektivat e përcaktuara.

“Gjermania ka nevojë për reforma themelore dhe vendosmëria ime për t’i realizuar ato mbetet e palëkundur”, deklaroi ai.

Në të njëjtën kohë, Merz pranoi se qeveria nuk mund të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Sipas tij, CDU-ja dhe qeveria federale duhet të ndryshojnë mënyrën se si i shpjegojnë politikat e tyre dhe të rikthejnë besimin e humbur te qytetarët.

“Qeveria federale nuk duhet t’i shpjegojë reformat vetëm në mënyrë racionale. Ne duhet t’i komunikojmë ato edhe në planin emocional”, tha ai.

Merz pranoi se për shumë gjermanë jeta e përditshme është bërë më e vështirë dhe se rezultati i zgjedhjeve pasqyron edhe shqetësimet dhe pasiguritë e qytetarëve.

“Parimet e demokracisë nuk negociohen”

Pavarësisht ndryshimit të ekuilibrave politikë, kancelari theksoi se parimet themelore të demokracisë gjermane nuk mund të vihen në pikëpyetje.

“Shumicat ndryshojnë. Qeveritë dhe politikat e tyre i nënshtrohen gjithmonë gjykimit të votuesve. Ky është vetë themeli i demokracisë. Por ka një gjë që nuk mund të vihet në diskutim: vlerat e Ligjit Themelor, Kushtetutës sonë dhe rregullat e bashkëjetesës sonë”, deklaroi Merz.

Ai garantoi gjithashtu se Gjermania do të ruajë orientimin e saj evropian dhe do të vijojë të mbështesë Ukrainën.

“Për shkak të historisë sonë, Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë. Ne do ta ruajmë rendin politik dhe ankorimin tonë në Europë”, tha kancelari.

Paralajmërimi për ndikimin rus

Merz e lidhi rezultatin e AfD-së edhe me shqetësimet për përpjekjet e huaja për të ndikuar dhe destabilizuar Gjermaninë.

“2 500 kilometra në lindje nga këtu ka dikush që është veçanërisht i kënaqur me këtë rezultat zgjedhor”, deklaroi ai, duke iu referuar Rusisë.

Kancelari theksoi se fitorja e AfD-së nuk do të ndryshojë politikën e qeverisë federale ndaj Ukrainës dhe se Berlini do të vazhdojë mbështetjen për Kievin.

CDU pranon humbjen

Ndërkohë, kandidati i CDU-së në Saksoni-Anhalt, Sven Schulze, pranoi përmasat e humbjes, duke deklaruar se partia e tij nuk ka më mandat për të qeverisur në land.

“Ne nuk kemi asnjë mandat për të qeverisur. Mandati për të qeverisur tani i takon AfD-së”, tha Schulze.

Pavarësisht rezultatit historik të AfD-së, Merz këmbëngul se përgjigjja e tij ndaj “tërmetit” politik nuk do të jetë dorëheqja, por ndryshimi i mënyrës së qeverisjes, rikthimi i besimit të qytetarëve dhe zbatimi i reformave që, sipas tij, Gjermania nuk mund t’i shtyjë më.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit