

GJERMANI – Një futbollist 35-vjeçar është arrestuar në Gjermani, nën dyshimin se ka helmuar për vdekje shokun e tij të skuadrës, vetëm dy javë para martesës së viktimës.
Ngjarja lidhet me klubin amator TuS Rockenberg, ku të dy luanin së bashku. Sipas autoriteteve, 35-vjeçari i identifikuar si Marius dyshohet se i ka dhënë në mënyrë të fshehtë helm shokut të skuadrës gjatë një udhëtimi të ekipit në Dresden.
Viktima, Filip, 30 vjeç, u ndje keq gjatë udhëtimit. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua pasi u kthye në banesë, duke bërë që familjarët të thërrisnin ambulancën. Ai u dërgua në spital, por ndërroi jetë një ditë më vonë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar.
Fillimisht, familjarët dyshuan se 30-vjeçari mund të ishte helmuar nga ushqimi, pasi gjatë udhëtimit kishte konsumuar peshk. Megjithatë, autopsia përcaktoi se vdekja ishte shkaktuar nga helmimi, i cili kishte sjellë dështimin e organeve.
Pas hetimeve, dyshimet e policisë u përqendruan te shoku i tij i skuadrës. Prokurori publik Tomas Hauburger deklaroi për mediat lokale se autoritetet dyshojnë se bëhej fjalë për një akt hakmarrjeje.
Ndërkohë, sipas raportimeve lokale në Rockenberg, mes dy futbollistëve kishte pasur një konflikt për një grua. Megjithatë, ky motiv mbetet pjesë e dyshimeve të hetuesve dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht si shkaku i krimit.
I dyshuari, i cili ndodhet në paraburgim, nuk ka dhënë deklaratë lidhur me akuzat ndaj tij. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të vdekjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë penale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






