Transmetuar më 07-09-2026, 18:12

SARAJEVË – Bosnje dhe Hercegovina ka vendosur të tërheqë pjesën më të madhe të stafit diplomatik nga Ambasada e saj në Serbi, në shenjë proteste ndaj zhvillimeve pas vdekjes dhe varrimit të Ratko Mlladiçit, i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për krime lufte dhe gjenocid.

Ministri i Jashtëm i Bosnje dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviç, deklaroi të hënën se në Beograd mund të mbeten vetëm ambasadori dhe konsulli, pasi emërimi dhe shkarkimi i tyre është kompetencë e Presidencës së Bosnjës. Pjesa tjetër e personelit diplomatik pritet të tërhiqet.

Sipas Konakoviçit, shërbimet konsullore mund të transferohen në ambasadat e Bosnje dhe Hercegovinës në Zagreb dhe Podgoricë.

Vendimi vjen pas ceremonive të zhvilluara në Serbi pas vdekjes së Mlladiçit, përfshirë ceremoninë përkujtimore dhe varrimin e tij në Beograd. Konakoviç e konsideroi mënyrën se si është trajtuar figura e Mlladiçit si një tjetër rast të glorifikimit të një personi të dënuar për krime të rënda gjatë luftës në Bosnje.

“Po të mundesha, që sot do t’i ndërprisja marrëdhëniet diplomatike me Serbinë. Ajo që mund të bëj është të punoj që marrëdhëniet t’i zvogëloj në minimumin e mundshëm”, deklaroi Konakoviç.

Ministri boshnjak tha se nuk ishte befasuar nga pjesëmarrja e zyrtarëve të Republikës Sërpska në ceremoninë mortore të Mlladiçit, por paralajmëroi se do të kërkojë sanksione ndaj individëve që morën pjesë në të, përfshirë anëtaren e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviç.

Reagim edhe për mesazhin në stadium

Konakoviç e cilësoi si “alarm të fundit” shfaqjen e një portreti të madh të Mlladiçit në stadiumin “Rajko Mitiç”, gjatë derbit mes Crvena Zvezdës dhe Partizanit më 6 shtator.

Në tribunën veriore u shfaq portreti i Mlladiçit së bashku me mbishkrimin “Drejt Potoçarit”, ndërsa imazhi qëndroi i ekspozuar gjatë gjithë ndeshjes.

Sipas Konakoviçit, raste të tilla përbëjnë vazhdim të glorifikimit të krimeve të luftës dhe autorëve të tyre.

Shefi i diplomacisë boshnjake paralajmëroi gjithashtu një ofensivë të re diplomatike ndaj Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Sarajeva pritet të dërgojë nota dhe letra diplomatike, përmes të cilave do të kërkojë një reagim më të qartë ndaj qëndrimit të Serbisë lidhur me krimet e luftës të dokumentuara dhe të vërtetuara nga gjykatat ndërkombëtare.

Konakoviç tha se Bosnje dhe Hercegovina nuk do të qëndrojë më pasive përballë përpjekjeve për të rishikuar ose mohuar faktet mbi krimet e luftës dhe se diplomacia boshnjake do të intensifikojë përpjekjet për të paraqitur qëndrimin e saj mbi luftën e viteve ’90.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit