

SERBI – Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, i ka paraqitur presidentit Aleksandar Vuçiç kërkesën për shpërndarjen e Kuvendit, një hap që i hap rrugë shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Sipas Kushtetutës së Serbisë, presidenti mund të shpërndajë Kuvendin me një propozim të arsyetuar nga Qeveria. Në të njëjtën kohë me shpërndarjen e Parlamentit, kreu i shtetit shpall edhe zgjedhjet parlamentare, të cilat duhet të përfundojnë brenda 60 ditëve nga shpallja.
Pas shpërndarjes, Kuvendi mund të ushtrojë vetëm funksionet e përcaktuara me ligj, kryesisht ato të karakterit të rregullt ose urgjent.
Zgjedhjet e parakohshme janë paralajmëruar më herët nga presidenti Vuçiç, i cili ka deklaruar se ato mund të zhvillohen më 18 ose 25 tetor.
Kërkesa për zgjedhje të parakohshme është një nga kërkesat kryesore të protestave studentore që kanë nisur prej muajsh në Serbi. Studentët, të cilët kanë mbajtur të bllokuara fakultetet që prej majit 2025, kanë kërkuar përgjegjësi institucionale për vdekjen e 16 personave pas shembjes së një pjese të stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor 2024.
Pushteti serb ka paralajmëruar disa herë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë, Vuçiç ka deklaruar se synon të largohet nga posti i presidentit përpara përfundimit të mandatit të tij, në prill 2027.
Zgjedhjet dhe akuzat për parregullsi
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi u zhvilluan në dhjetor 2023 dhe u shoqëruan me akuza nga opozita, organizata joqeveritare dhe vëzhgues ndërkombëtarë për parregullsi, presion ndaj votuesve, keqpërdorim të burimeve publike dhe përdorim të institucioneve në funksion të fushatës.
Qeveria ka pretenduar se situata zgjedhore është përmirësuar që prej atëherë, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, ndërsa organizata vendase kanë deklaruar se një pjesë e problemeve kryesore mbeten ende të pazgjidhura.
Edhe zgjedhjet lokale të zhvilluara në mars 2026 në 10 komuna të Serbisë u shoqëruan me incidente dhe akuza për parregullsi. U raportuan përleshje fizike, prani e shtuar e policisë dhe tensione gjatë procesit zgjedhor.
Misioni vëzhgues i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës deklaroi se delegacioni i tij kishte qenë dëshmitar i rasteve të dhunës në pothuajse të gjitha komunat e vizituara.
Në të njëjtën periudhë, OSBE raportoi një nivel të konsideruar si “të paprecedent” të sulmeve ndaj gazetarëve.
Partia Progresive Serbe, e cila është në pushtet, shpalli fitoren në të 10 komunat, ndërsa hodhi poshtë akuzat për parregullsi dhe kritikën ndaj procesit zgjedhor.
Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme pritet të përcaktojë një tjetër përballje politike në Serbi, në një klimë të tensionuar nga protestat studentore dhe debatet mbi standardet demokratike të procesit zgjedhor.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






