Transmetuar më 07-09-2026, 13:04

TIRANË – Hetimet për vrasjen e Eglant Kocit vijojnë të zbardhin detaje të reja rreth lëvizjeve të autorit të dyshuar, Armand Shakaj, i cili është shpallur në kërkim si personi kryesor i dyshuar për ekzekutimin e të riut, një krim që dyshohet se ka lidhje me transaksionet e kriptomonedhave dhe call center-ave.

Sipas dosjes hetimore, pas denoncimit për zhdukjen e Eglant Kocit, familjarët e tij orientuan policinë drejt një subjekti “Exchange” pranë Spitalit Ushtarak, ku viktima kryente konvertimin e monedhave virtuale. Megjithatë, administratori i subjektit deklaroi se viktima nuk ishte paraqitur për transferta prej më shumë se një muaji.

I dyshuari Armand Shakaj, i cili u pyet nga autoritetet në fazën e parë kur i riu rezultonte i zhdukur, pretendonte se ishte takuar me Kocin më 3 qershor, duke deklaruar se ky i fundit ishte i shqetësuar për fonde të humbura digjitale dhe baste online. Menjëherë pas marrjes në pyetje dhe lirimit të përkohshëm, Shakaj u zhduk dhe humbi kontaktet me policinë.

Pamjet e kamerave të sigurisë zbuluan se Eglanti kishte vizituar mikun e tij më 4 qershor, ndërsa 40 minuta më vonë, një person i veshur me të zeza u largua me motorin e viktimës. Provë kyçe për hetuesit janë edhe pamjet e datës 5 qershor, rreth orës 23:30, ku Shakaj shfaqet duke tërhequr zvarrë një qese në formën e trupit të njeriut dhe duke e larguar me automjet. Trupi i pajetë u gjet më vonë, ndërsa analiza e ADN-së konfirmoi se i përkiste Eglant Kocit. Për këtë ngjarje ndodhet në burg 25-vjeçari Ena Zyferi, student infermierie, i dyshuar për përkrahje të autorit dhe fikje të kamerave të sigurisë.

Në kuadër të veprimeve hetimore, Prokuroria ka marrë në pyetje edhe dy punonjës lavazhi, të cilëve Shakaj u kishte lënë automjetin tip “Porsche” me porosinë: “Do vij ta marr, vetëm lajeni mirë”. Gjatë pastrimit, lavazhierët kanë vënë re në dyshemenë e mjetit, pas ndenjëses së shoferit, praninë e një lëngu të kuq që ngjasonte me gjak, dëshmi kjo që i ka shërbyer grupit hetimor për të dokumentuar lëvizjet e autorit pas krimit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit