

ATHINË – Detaje të reja tronditëse kanë dalë në pah nga ngjarja e regjistruar në orët e para të kësaj të hëne në zonën Patisia të Greqisë, ku një 55-vjeçar shqiptar u qëllua për vdekje sapo doli nga banesa e tij.
Sipas mediave greke, ka qenë vajza e viktimës ajo që ka telefonuar e para autoritetet policore, pasi ka parë të atin të shtrirë në tokë dhe të mbuluar në gjak pak metra larg shtëpisë, në rrugën “Themou Anninou”.
Ndryshimet e para paraprake sugjeronin plagosje, por autoritetet konfirmuan se shqiptari ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga armët e zjarrit.
Një dëshmitar okular ka rrëfyer se ka parë dy persona me helmeta në kokë duke u larguar me vrap nga vendi i ngjarjes, ndërsa një banor tjetër ka dëgjuar debate me zë të lartë pak minuta para të shtënave.



Policia greke po heton disa pista, përfshirë atë të një tentative për vjedhjen e motoçikletës së viktimës, e cila është sekuestruar për t’u dërguar në laboratorët e ELAS për ekspertizë.
Në vendngjarje ekspertët kriminalistikë kanë sekuestruar tre gëzhoja dhe një plumb, ndërsa grupi hetimor po vijon punën intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






