Transmetuar më 07-09-2026, 12:21

Këmbët iu dobësuan pranë fundit të ndeshjes dhe u rrëzua në ring. Mjekët i bënë CPR dhe përdorën defibrilator, por Andy “The Butcher” Williams ndërroi jetë më vonë në spital

Bota e wrestling-ut dhe ajo e muzikës janë tronditur nga vdekja e papritur e Andy Williams, i njohur nga fansat me emrin “The Butcher”.

Ish-mundësi i All Elite Wrestling (AEW) ndërroi jetë në moshën 48-vjeçare, pasi pësoi një emergjencë mjekësore dhe u rrëzua gjatë një eventi wrestling-u në Pensilvani të SHBA-së.

Williams po merrte pjesë në eventin e Enjoy Wrestling në Mr. Smalls Theatre, në Millvale, pranë Pittsburgh-ut, mbrëmjen e së shtunës, 5 shtator.

Ai garonte në një ndeshje në çift përkrah partnerit të tij të vjetër, Jesse Guilmette, i njohur si The Blade.

Sipas dëshmitarëve, pranë fundit të ndeshjes Williams nisi të shfaqte probleme, këmbët iu dobësuan dhe ai u rrëzua. The Blade tentoi fillimisht ta ndihmonte të ngrihej, përpara se të kërkonte menjëherë ndërhyrjen e stafit mjekësor.

Mjekët dhe personeli i emergjencës i dhanë ndihmën e parë në vend, duke kryer masazh kardiak dhe duke përdorur një defibrilator. Më pas 48-vjeçari u transportua me ambulancë drejt spitalit.

Ai ndërroi jetë më vonë atë mbrëmje. Zyra e Mjekësisë Ligjore e Allegheny County konfirmoi vdekjen, ndërsa shkaku zyrtar nuk është bërë ende publik.

Pas incidentit, pjesa tjetër e eventit u anulua dhe publiku u largua nga salla.

Nga muzika te wrestling-u

Andy Williams ishte një figurë e veçantë pasi kishte arritur të ndërtonte dy karriera të suksesshme, në muzikë dhe në wrestling.

Në ring u bë i njohur si The Butcher, pjesë e ekipit “The Butcher and The Blade”. Ai iu bashkua AEW në vitin 2019 dhe qëndroi në kompani për më shumë se gjashtë vjet, deri në përfundimin e kontratës në qershor 2026.

Pas largimit nga AEW, Williams ishte rikthyer në skenën e pavarur të wrestling-ut dhe vazhdonte të garonte së bashku me The Blade.

Por shumë kohë përpara se të bëhej i njohur në ring, Williams kishte krijuar emër në muzikën metalcore.

Ai ishte një nga anëtarët themelues dhe kitarist i grupit Every Time I Die, të krijuar në vitin 1998. Williams qëndroi me grupin gjatë gjithë historisë së tij, deri në shpërbërjen në vitin 2022.

Më vonë ai u rikthye në muzikë me grupin Atomic Rule, i cili publikoi materialet e para në vitin 2025.

Lajmi për vdekjen e tij ka sjellë reagime të shumta nga figura të wrestling-ut dhe muzikës, të cilët kanë shprehur tronditjen dhe ngushëllimet për familjen e Williams.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit