Transmetuar më 07-09-2026, 09:32

MEKSIKË – Një festë fetare në Meksikë është kthyer në tragjedi, pasi një shpërthim i fuqishëm i materialeve piroteknike pranë një kishe ka lënë të paktën 10 të vdekur dhe mbi 60 të plagosur.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në komunitetin Santa Maria Cantada, në shtetin e Meksikës, gjatë festimeve tradicionale për Ditën e Shenjtorëve Patronë.

Sipas autoriteteve lokale, shpërthimi ndodhi pasi fishekzjarret i vunë flakën një ndërtese famullie që shërbente si depo e materialeve piroteknike. Incidenti u regjistrua gjatë një rituali tradicional me një strukturë në formë “demi” të ngarkuar me fishekzjarre, e cila ishte sjellë me karrocë në sheshin përpara kishës. Pas ndezjes, flakët u përhapën me shpejtësi te lëndët plasëse të ruajtura në afërsi.

Pamjet e publikuara nga mediat lokale shfaqën skena paniku mes dhjetëra pjesëmarrësve në shesh, të cilët u larguan me vrap për të shpëtuar. Ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë për të vënë flakën nën kontroll dhe për të transportuar të lënduarit në spital.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse janë respektuar rregullat e sigurisë në ruajtjen dhe përdorimin e lëndëve piroteknike. Bilanci i viktimave mund të rritet, pasi disa nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit