Transmetuar më 07-09-2026, 09:45

TIRANË – Sistemi shëndetësor në Shqipëri vijon të mbetet shumë larg standardeve të Bashkimit Europian, si për nga burimet e alokuara, ashtu edhe për shkak të barrës së rëndë financiare që rëndon drejtpërdrejt mbi familjet shqiptare.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2025, konsumi individual për shëndetësinë në Shqipëri llogaritet në 662 euro për banor, krahasuar me 3,675 euro që është mesatarja në BE. Në vlerë nominale, Shqipëria arrin në vetëm 18% të mesatares europiane.

Edhe pas korrigjimit për diferencat e çmimeve (ku çmimet e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri janë sa 44.6% e mesatares së BE-së), hendeku mbetet i thellë. I shprehur në standardin e fuqisë blerëse, konsumi arrin në rreth 1,500 PPS për banor, duke treguar se vëllimi real i shërbimeve shëndetësore në dispozicion të shqiptarëve është vetëm rreth 40% e mesatares europiane.

Në vitin 2025, konsumi total për shëndetësinë në Shqipëri ishte 1.56 miliardë euro, duke përbërë 7.7% të konsumit individual aktual (kundrejt 13.4% në BE).

Ndërkohë, sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2023, shpenzimet korrente për shëndetësinë ishin 7.05% e PBB-së (krahasuar me 10% në BE). Problemi kryesor mbetet mënyra e financimit: 48.27% e shpenzimeve shëndetësore paguhen drejtpërdrejt nga xhepi i familjeve, duke e renditur Shqipërinë të parën në Europë për pagesat direkte. Për krahasim, në Bashkimin Europian pagesat nga xhepi përbëjnë vetëm 14.9% të totalit, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga skemat publike dhe të detyrueshme të sigurimeve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit