Transmetuar më 07-09-2026, 08:17

HOLANDË – Një ndeshje e pazakontë është zhvilluar në Eredivisie, ku portieri Ronald Koeman Jr. ka shënuar dy gola për Telstarin, duke i dhënë skuadrës së tij një barazim dramatik 2-2 ndaj Cambuur.

31-vjeçari, djali i legjendës së futbollit holandez Ronald Koeman, realizoi të dy golat nga pika e bardhë, duke u kthyer në protagonistin absolut të takimit.

Koeman Jr. shënoi penalltinë e parë në minutën e 63-të, duke ngushtuar diferencën pasi Telstari ishte në disavantazh të dyfishtë.

Drama kulmoi në fund të takimit. Në minutën e 11-të të kohës shtesë, portieri ekzekutoi penalltinë e dytë dhe realizoi sërish, duke i siguruar Telstarit një pikë në sekondat e fundit të ndeshjes.

Rikthimi ishte edhe më i veçantë pasi Telstari luajti me 10 futbollistë që nga minuta e 20-të, pas kartonit të kuq të Nökkvi Þórisson.

Për Koeman Jr., kjo nuk është hera e parë që bëhet protagonist nga pika e penalltisë. Në maj të sezonit të kaluar, ai realizoi një penallti vendimtare në fazën play-off për mbijetesë, duke ndihmuar Telstarin të shmangte rënien.

Gjatë ndeshjes, futbollistët e Cambuur u përpoqën ta shpërqendronin portierin edhe gjatë ekzekutimeve nga pika e bardhë. Madje, një penallti e tretë u akordua fillimisht, por vendimi u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it.

“Do të flasin me mua, e di këtë që më parë. Por nuk do të më acarojnë”, u shpreh Koeman Jr. pas ndeshjes.

Portieri tregoi gjithashtu besim të plotë te mënyra e tij e ekzekutimit.

“Jam thjesht në krye të listës. Mund të ekzekutoj një penallti të mirë dhe kam besim për këtë. Nuk kam dyshime”, deklaroi ai.

Të dyja penalltitë e realizuara nga Koeman Jr. shkuan në këndin e poshtëm të djathtë, ndërsa portieri la të hapur mundësinë për të ndryshuar krah në të ardhmen.

“Ndoshta duhet ta ndryshoj këndin ndonjëherë. Megjithatë, nëse është mjaftueshëm e vështirë, portieri nuk mund ta kapë”, tha ai.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit