

TIRANË – Ndërsa zjarret kanë përfshirë zona të ndryshme të vendit gjatë këtij sezoni dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në pyje e kullota, të dhënat zyrtare tregojnë se investimet e pushtetit vendor për parandalimin dhe përballimin e tyre mbeten në nivele të ulëta.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, vetëm 23 bashki kanë parashikuar në buxhetet e tyre për vitin 2026 fonde për mbrojtjen nga zjarri dhe mbrojtjen civile. Shuma totale e planifikuar arrin në rreth 729.6 milionë lekë.
Megjithatë, deri në fund të qershorit janë shpenzuar vetëm 75.7 milionë lekë, ose rreth 10.4% e fondit të programuar.
Nga 23 bashkitë që kishin parashikuar fonde për këtë sektor, vetëm 11 kanë regjistruar shpenzime gjatë gjysmës së parë të vitit, ndërsa 12 bashki nuk kishin kryer ende asnjë pagesë.
Tirana me fondin më të madh, por realizim minimal
Diferenca më e madhe mes fondeve të planifikuara dhe shpenzimeve faktike vihet re në Bashkinë e Tiranës.
Kryeqyteti kishte programuar rreth 356.8 milionë lekë, pothuajse gjysmën e fondit të parashikuar nga të gjitha 23 bashkitë së bashku.
Por deri në fund të qershorit, Tirana kishte shpenzuar vetëm 164.9 mijë lekë, duke realizuar rreth 0.05% të fondit të planifikuar.
Edhe Bashkia e Durrësit, e cila kishte parashikuar rreth 104 milionë lekë për këtë sektor, nuk kishte regjistruar asnjë shpenzim deri në qershor.
Tirana dhe Durrësi përbëjnë së bashku më shumë se 63% të fondeve totale të programuara nga 23 bashkitë, ndërsa shpenzimet e tyre faktike deri në qershor ishin vetëm rreth 165 mijë lekë.
Himara kryeson për shpenzimet
Në anën tjetër, Himara rezulton bashkia me shpenzimet më të larta faktike për mbrojtjen nga zjarri dhe mbrojtjen civile.
Nga 143.8 milionë lekë të programuara, Himara kishte shpenzuar rreth 46.8 milionë lekë, ose 32.5% të fondit.
Pothuajse e gjithë kjo shumë lidhet me blerjen e një automjeti zjarrfikës, me vlerë 46.8 milionë lekë, për të cilin pagesa rezulton e realizuar në masën 100%.
Pas Himarës renditet Pusteci, me rreth 10.8 milionë lekë të shpenzuara nga 18.9 milionë lekë të programuara. Pjesa kryesore e fondeve është përdorur për blerjen e një mjeti për shërbimin e MZSH-së.
Kukësi dhe Librazhdi me realizim pranë 100%
Një ndër nivelet më të larta të realizimit është regjistruar në Kukës. Nga 8.46 milionë lekë të programuara, bashkia kishte shpenzuar rreth 8.44 milionë lekë, ose 99.7% të fondit.
Rreth 7 milionë lekë nga kjo shumë janë përdorur për blerjen e një automjeti zjarrfikës.
Edhe Librazhdi kishte realizuar pothuajse të gjithë fondin e programuar, rreth 4.55 milionë lekë, megjithëse pjesa më e madhe e shpenzimeve lidhet me ndërhyrje të mbrojtjes civile dhe jo drejtpërdrejt me pajisje zjarrfikëse.
Në total, vetëm Himara, Pusteci dhe Kukësi përbëjnë rreth 87% të shpenzimeve faktike të evidentuara deri në qershor nga 23 bashkitë.
Dhjetëra bashki pa shpenzime
Përveç Durrësit, deri në fund të qershorit nuk rezultonin shpenzime edhe në bashki si Kavaja, Kruja, Vlora, Bulqiza, Malësia e Madhe, Gramshi, Puka, Përrenjasi, Këlcyra dhe Dropulli, pavarësisht se në buxhetet e tyre kishin parashikuar fonde për këtë program.
Të dhënat i referohen situatës deri në 30 qershor 2026 dhe pasqyrojnë vetëm ecurinë e shpenzimeve gjatë gjysmës së parë të vitit. Ato nuk përfaqësojnë realizimin përfundimtar të buxheteve vjetore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






