Transmetuar më 07-09-2026, 07:57

GJERMANI – Augsburg ka surprizuar në startin e sezonit të ri të Bundesligës, duke marrë kreun e kampionatit pas një fitoreje të thellë 4-1 në transfertë ndaj Eintracht Frankfurtit.

Skuadra bavareze, e cila sezonin e kaluar e mbylli në vendin e nëntë, ka regjistruar dy fitore në dy javët e para. Pas triumfit 3-0 ndaj Schalke 04 në ndeshjen hapëse, Augsburg mposhti edhe Frankfurtin dhe tashmë kryeson me pikë të plota.

Fitorja nuk ishte e lehtë në nisje. Frankfurti kaloi në avantazh që në minutën e gjashtë, me Jonathan Burkardt që realizoi me kokë.

Augsburgu reagoi menjëherë pas pushimit dhe përmbysi rezultatin brenda pak minutash. Fillimisht, Elias Baum shënoi autogol në minutën e 46-të, ndërsa vetëm një minutë më vonë një gabim i portierit Noah Atubolu i dha mundësinë Augsburgut të kalonte në avantazh, 2-1.

Në minutën e 65-të, Alexis Claude-Maurice realizoi golin e tretë për miqtë me një goditje të bukur pas asistimit të Han-Noah Massengos.

Fitorja u vulos në fund të takimit nga Fabian Rieder, i cili në minutën e 89-të ekzekutoi në mënyrë spektakolare një goditje dënimi nga rreth 25 metra, duke vendosur shifrat përfundimtare në 1-4.

Bayern Munich nuk është më në krye

Kryesimi i Augsburgut përbën edhe një moment të veçantë për Bundesligën. Për herë të parë pas dy vitesh, Bayern Munich nuk ndodhet në vendin e parë të renditjes pas dy javëve të para.

Bavarezët u ndalën të shtunën në transfertë ndaj Schalke 04, me takimin që përfundoi në barazim pa gola, 0-0.

Pas Augsburgut me gjashtë pikë, në pjesën e sipërme të tabelës renditen edhe Freiburg, Borussia Dortmund dhe Elversberg, që gjithashtu kanë grumbulluar nga gjashtë pikë.

Nisje katastrofike për Hamburgun

Në krahun tjetër, Hamburgu po përjeton një fillim shumë të vështirë të sezonit.

Pas humbjes 0-2 ndaj Dortmundit në javën e parë, HSV u mposht thellë në shtëpi nga Mainzi me rezultatin 0-5 dhe tashmë ndodhet në fund të tabelës.

Sipas të dhënave të klubit, kjo është nisja më e keqe e Hamburgut në historinë e tij në elitën e futbollit gjerman.

Humbja erdhi edhe në një mbrëmje ku tifozët e Hamburgut i kushtuan homazhe Kevin Keegan, ish-yllit të klubit dhe fituesit të “Topit të Artë” në vitet 1978 dhe 1979.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit