Transmetuar më 06-09-2026, 23:40

MOSKË – Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka reaguar ashpër ndaj Gjermanisë pas akuzave të Berlinit për përfshirjen e Rusisë në një incident me dron në aeroportin Leipzig-Halle.

Duke iu referuar një droni të gjetur pranë një avioni ukrainas në aeroport, Lavrov pretendoi se autoritetet gjermane e kanë cilësuar pajisjen si ruse pa kryer, sipas tij, një hetim të mjaftueshëm.

“Kjo është në thelb fillimi i një lufte të vërtetë”, deklaroi Lavrov, duke kritikuar edhe masat e ndërmarra nga Berlini ndaj përfaqësive diplomatike dhe institucioneve ruse në Gjermani.

Ministri rus komentoi gjithashtu deklaratat e kancelarit gjerman Friedrich Merz për forcimin e kapaciteteve ushtarake të Gjermanisë. Sipas Lavrovit, Berlini po zbaton plane për ta shndërruar vendin në fuqinë kryesore ushtarake të Evropës.

“Ai në thelb po na shpall luftë. Dhe mësimet e historisë nuk janë nxjerrë fare”, u shpreh ministri i Jashtëm rus.

Lavrov përdori një gjuhë edhe më të ashpër ndaj qeverisë gjermane, duke deklaruar se “metastazat e nazizmit po fillojnë të dalin në sipërfaqe” dhe se udhëheqja ruse do të nxjerrë “përfundimet e duhura” nga zhvillimet e fundit.

Sipas autoriteteve gjermane, incidenti në aeroportin Leipzig-Halle ndodhi më 4 gusht, kur një dron i dyshuar se ishte i ngarkuar me eksploziv u gjet pranë një avioni ukrainas. Berlini ka akuzuar zyrtarisht Rusinë për përgjegjësi lidhur me tentativën e sulmit.

Përballë përshkallëzimit të tensioneve, Gjermania ka njoftuar gjithashtu mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Rusisë në Bon, ndërprerjen e marrëveshjes për funksionimin e Shtëpisë Ruse në Berlin dhe forcimin e kontrolleve të hyrjes për shtetasit rusë.

Deklaratat e Lavrovit shënojnë një tjetër përshkallëzim në retorikën mes Moskës dhe Berlinit, ndërsa marrëdhëniet mes Rusisë dhe Gjermanisë vijojnë të jenë të tensionuara për shkak të luftës në Ukrainë dhe përplasjes diplomatike mes dy vendeve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit