Transmetuar më 06-09-2026, 22:01

TEHERAN – Irani ka ashpërsuar gjuhën ndaj Shteteve të Bashkuara, duke paralajmëruar se çdo sulm i ri ndaj territorit apo interesave iraniane do të përballet me një kundërpërgjigje edhe më të fuqishme.

Kryetari i Parlamentit iranian dhe njëkohësisht negociatori kryesor i vendit, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se “rregullat e lojës kanë ndryshuar”, duke paralajmëruar Uashingtonin për pasoja më të rënda në rast të një përshkallëzimi të ri.

“Çdo shkelje e interesave dhe sigurisë së Iranit do të marrë një përgjigje më të shpejtë, më të rëndë dhe më të dhimbshme”, u shpreh Ghalibaf.

Deklarata vjen pas sulmeve të forcave amerikane ndaj tre tankerëve iranianë të naftës bruto. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), operacioni u ndërmor si kundërpërgjigje ndaj lëshimit të raketave balistike nga Garda Revolucionare Iraniane drejt dy anijeve luftarake amerikane.

Komandanti i CENTCOM, admirali Brad Cooper, deklaroi se SHBA-ja do të vazhdojë të mbrojë forcat e saj dhe paralajmëroi se flotat iraniane të naftës mund të bëhen objektiv nëse sulmet ndaj anijeve amerikane vijojnë.

Përtej përplasjes ushtarake, Teherani po përballet edhe me presion të konsiderueshëm ekonomik. Ghalibaf renditi ndër problemet kryesore inflacionin, papunësinë dhe luhatjet e kursit të këmbimit.

Ndërkohë, administrata amerikane ka zgjeruar sanksionet ndaj Iranit, duke prekur sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, përfshirë financat, transportin, teknologjinë dhe tregtinë e naftës.

Irani, një prej prodhuesve kryesorë të naftës në OPEC, është përballur me një goditje të fortë në eksporte. Sipas të dhënave të cituara në raport, rreth 90% e naftës së papërpunuar iraniane eksportohej përmes ishullit Kharg përpara nisjes së konfliktit.

Kriza ekonomike ka ndikuar drejtpërdrejt edhe te qytetarët. Sipas të dhënave të Bankës Botërore të cituara në raport, ekonomia iraniane u tkurr me 2.7%, ndërsa inflacioni arriti në 62.2% në shkurt. Çmimet e ushqimeve shënuan ndërkohë një rritje vjetore prej rreth 99%.

Përballë kësaj situate, Ghalibaf u bëri thirrje autoriteteve që të rrisin prodhimin vendas dhe të përdorin teknologjinë për të adresuar krizën ekonomike, duke kërkuar masa që mund të japin rezultate si në afat të shkurtër, ashtu edhe në atë afatgjatë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit