

NEW JERSEY – Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi këtë të diel një takim me shqiptarë në New Jersey, ku foli për zhvillimet politike në Shqipëri, shpopullimin dhe atë që ai e cilësoi si pasojat e keqqeverisjes së Edi Ramës.
Gjatë bashkëbisedimit, biznesmeni Akil Ceci, me origjinë nga Tropoja dhe që ushtron aktivitet në sektorin e ndërtimit në SHBA, shprehu mbështetjen e tij për Berishën dhe i drejtoi atij disa pyetje mbi strategjinë e opozitës për largimin e qeverisë Rama.
Ceci e pyeti Berishën gjithashtu nëse opozita ka përcaktuar kandidatin për Bashkinë e Tiranës. Në fjalën e tij, biznesmeni deklaroi se Berisha, sipas tij, ka dëshmuar se është “figura më e pastër politike që ka pasur Shqipëria në 30 vite demokraci”.
Berisha, në përgjigje, u ndal te qeverisja 13-vjeçare e Edi Ramës, duke e cilësuar respektimin e ligjit dhe Kushtetutës si një prej çështjeve kryesore të qeverisjes.
Për të ilustruar qëndrimin e tij, ai solli në vëmendje krizën e vitit 1997 dhe skemat piramidale, duke rrëfyer vendimin që, sipas tij, mori për të mos ndërmarrë një veprim që do të binte ndesh me ligjin, edhe pse situata politike ishte jashtëzakonisht e vështirë.
Berisha iu referua edhe vitit 2005 dhe luftës kundër kriminalitetit, duke deklaruar se gjatë qeverisjes së tij policia zbatoi ligjin ndaj grupeve kriminale. Ai e lidhi këtë me qëndrimin e tij të deklaruar për “zero tolerancë ndaj krimit dhe karteleve”.
Sa i përket zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, Berisha bëri të ditur se kandidati i opozitës ende nuk është përcaktuar. Sipas tij, do të vijojnë diskutimet për të përzgjedhur kandidatin që do të përfaqësojë opozitën në kryeqytet.
Ndërkohë, takimi në New Jersey u shoqërua me diskutime mbi situatën politike në Shqipëri dhe rolin që diaspora mund të luajë në zhvillimet politike të vendit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






