Transmetuar më 06-09-2026, 21:35

TIRANË – 20 vatra zjarri janë raportuar gjatë ditës së sotme në të gjithë vendin, ndërsa sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, 11 prej tyre vijojnë të jenë aktive, 7 janë nën mbikëqyrje dhe 2 janë shuar.

Në terren janë angazhuar strukturat vendore, Forcat e Armatosura dhe kapacitete tokësore e ajrore, me ndërhyrjet të përqendruara në zonat ku zjarret paraqesin rrezik më të madh për pyjet, banesat dhe pasurinë.

Një prej vatrave kryesore vijon të jetë Mali i Dajtit, ku zjarri mbetet aktiv. Në operacion janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura me efektivë, mjete dhe helikopter.

Situatë problematike paraqitet edhe në Kryezi të Kavajës, ku përkrah forcave zjarrfikëse është angazhuar një avion Air Tractor për ndërhyrjen nga ajri.

Në qarkun e Dibrës, zjarri vijon të jetë aktiv në zonën Lundre–Madhesh të Matit, ndërsa në Lezhë po vijojnë operacionet në aksin Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcave të Armatosura.

Në qarkun e Shkodrës, aktive mbetet vatra Bardhaj–Myselim, ku në operacion janë përfshirë strukturat vendore, forcat e armatosura dhe vullnetarët, përfshirë dy helikopterë. Aktiv raportohet edhe zjarri në Kulumri të Fushë-Arrëzit.

Vatra aktive janë raportuar gjithashtu në Kropisht të Selenicës, Vokopolë të Poliçanit dhe Tërbun të Pukës, ndërsa në disa zona të tjera situata po mbahet nën monitorim.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatra nën mbikëqyrje janë raportuar në qarqet Korçë, Elbasan, Durrës, Fier, Kukës dhe Shkodër. Në zonën Drizë–Peshtan–Frakull të Fierit, situata vijon të jetë nën monitorim.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale vijojnë të jenë të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit