

TEL AVIV – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me një kundërpërgjigje të fuqishme nëse ndërmerr një tjetër sulm ndaj Izraelit, në një kohë kur tensionet mes dy vendeve mbeten të larta.
“Nëse Irani bën një gabim dhe na sulmon, do të marrë një goditje që as nuk mund ta imagjinojë”, deklaroi Netanyahu gjatë mbledhjes së përjavshme të qeverisë izraelite.
Kryeministri izraelit tha se Izraeli është aktualisht “më i fortë se kurrë”, ndërsa kundërshtarët e tij, sipas tij, janë “më të dobët se kurrë”. Netanyahu vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se dy vendet kanë arritur rezultate të rëndësishme përballë kërcënimeve që ai ia atribuon Iranit.
Sipas Netanyahut, Izraeli dhe SHBA-ja kanë goditur kapacitetet e lidhura me programin bërthamor dhe raketat balistike të Iranit, ndërsa kanë dobësuar edhe atë që ai e përshkroi si “boshti iranian”.
Deklaratat vijnë rreth 50 ditë përpara zgjedhjeve të Knessetit, të planifikuara për 27 tetor, në një periudhë kur sondazhet e fundit sugjerojnë një rënie të mbështetjes për Netanyahun dhe partinë e tij, Likud.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






