Transmetuar më 06-09-2026, 18:53

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga SHBA u ka bërë thirrje shqiptarëve në diasporë që t’i bashkohen protestës qytetare në Shqipëri, e cila sipas tij prej tre muajsh kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë takimit me shqiptarët në Amerikë, Berisha e vendosi shpopullimin e vendit në qendër të fjalës së tij, duke deklaruar se Shqipëria po përballet me një situatë të rëndë demografike.

“Është koha për veprim! Është emergjencë!”, u shpreh Berisha, duke e lidhur rikthimin e shqiptarëve në vend me ndryshimin politik.

Ai tha se Partia Demokratike ka një program që synon ripopullimin e Shqipërisë dhe rikthimin e emigrantëve, ndërsa theksoi nevojën për përmirësimin e pagave, funksionimin e institucioneve dhe forcimin e shtetit ligjor.

Berisha kritikoi gjithashtu qeverinë për menaxhimin e pasurive publike dhe akuzoi mazhorancën për bllokimin e institucioneve të drejtësisë.

Duke iu referuar protestave në Tiranë, ai deklaroi se prej tre muajsh të rinj dhe qytetarë po protestojnë kundër qeverisë Rama.

“Prej tre muajsh, rinia dhe qytetarët e Tiranës janë angazhuar në një protestë, më të madhen që nga vitet ’90. Në këtë protestë, ata kërkojnë largimin e Edi Ramës”, tha Berisha.

Sipas tij, protestuesit kërkojnë gjithashtu funksionimin e institucioneve, vendosjen e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e pasurive publike.

Në përfundim, kreu i PD-së iu drejtua diasporës shqiptare në të gjithë botën, duke kërkuar që ajo të japë kontributin e saj në protestën kundër qeverisë.

“Unë ju bëj thirrje ju, i bëj thirrje diasporës shqiptare kudo në botë, të japë kontributin e saj në këtë protestë. Partia Demokratike e mbështet fuqishëm atë”, deklaroi Berisha.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit