

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë takimit me shqiptarët në New Jersey, ka bërë thirrje për bashkim të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit kundër qeverisë së Edi Ramës.
Berisha e cilësoi situatën në Shqipëri si të rëndë në aspektin politik, ekonomik dhe social, ndërsa akuzoi qeverinë për lidhje me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës, kontroll të institucioneve dhe drejtësisë, si dhe për shpopullimin e vendit.
“Kam një thirrje për çdo shqiptar në Shqipëri dhe kudo që ndodhet”, deklaroi Berisha, duke iu drejtuar shqiptarëve në SHBA, Kanada, Itali, Gjermani, Greqi, Spanjë dhe vende të tjera.
Ai e cilësoi qeverinë shqiptare si një “narkoshtet antishqiptar” dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përqendruar pushtetin në duart e tij.
Sipas Berishës, kjo situatë është shoqëruar me probleme në shëndetësi, arsim dhe drejtësi, ndërsa ai kritikoi edhe rritjen e çmimeve dhe largimin e shqiptarëve nga vendi.
“Shqipëria, dheu ynë i dashur, po rrokulliset ndoshta më shumë se kurrë në ekzistencën e saj”, u shpreh ai.
Berisha sulmoi gjithashtu Ramën për qëndrimet ndaj Kosovës, duke e akuzuar se vepron kundër interesave kombëtare dhe në bashkëpunim me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
Në fjalën e tij, kreu i PD-së shprehu mbështetje për autoritetet e Kosovës dhe për ish-krerët politikë të UÇK-së që ndodhen në Hagë, duke uruar që ata të shpallen të pafajshëm dhe të kthehen të lirë në Kosovë.
“Dua të përshëndes sot para jush dhe në emër tuaj, ish-udhëheqësit politikë të Kosovës që vuajnë vitet të tëra në burg dhe t’u uroj nga zemra të marrin pafajësinë dhe të kthehen të lirë në tokën e tyre”, tha Berisha.
Në përfundim, ai përsëriti thirrjen për bashkim kundër qeverisë socialiste.
“Nëse duam të shembim narkoshtetin antishqiptar, nëse duam të çlirojmë Shqipërinë nga kthetrat e ekstremit të majtë”, deklaroi Berisha, duke vijuar sulmin ndaj Partisë Socialiste dhe qeverisjes së Edi Ramës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






