

“Mirënjohje presidentit Trump dhe sekretarit Rubio”/ Berisha në SHBA: “Ata që firmosën ndalimin tim janë sot non-grata në vendin e tyre” Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me shqiptarët në New Jersey, ku ka folur për rikthimin e tij në Shtetet e Bashkuara dhe për betejën që, sipas tij, ka zhvilluar kundër vendimit që i ndalonte hyrjen në SHBA.
Berisha e cilësoi takimin si një ditë të jashtëzakonshme dhe deklaroi se ndalimi për të udhëtuar drejt SHBA-së ishte pjesë e një padrejtësie që, sipas tij, nuk buronte nga vetë Shtetet e Bashkuara, por nga politika dhe agjenda që ai i përshkroi si “antilirie” dhe “antikombëtare”.
Ai tha se në atë periudhë kishte qenë prej vitesh jashtë pushtetit dhe thuajse i tërhequr nga jeta politike, por vendosi të nisë një betejë për rikthimin e të drejtës për të udhëtuar në SHBA.
Duke iu referuar zgjedhjes së Donald Trump si president në nëntor 2024, Berisha tha se ndryshimet në SHBA sollën, sipas tij, edhe efekte në Shqipëri.
“Ata që na treguan ne barin, përfunduan të papunë. Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë non-grata vetë në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri, sot janë prapa hekurave, ndërsa unë sot po qëndroj me dy këmbë mbi atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë”, deklaroi Berisha.
Ai shprehu mirënjohje ndaj shqiptarëve në SHBA që, sipas tij, e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, si dhe ndaj administratës së presidentit Donald Trump dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Berisha e lidhi rikthimin e tij në SHBA me qëndrueshmërinë dhe identitetin shqiptar, duke theksuar se përballë padrejtësive shqiptarët nuk duhet të dorëzohen.
“Ne jemi shqiptarë! Sepse ne jemi shqiptarë dhe qëndrojmë e luftojmë të pamposhtur për dinjitetin tonë”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Berisha iu referua edhe ish-presidentit amerikan Abraham Lincoln, duke përmendur idenë se rëndësi nuk ka sa herë rrëzohesh, por sa herë ngrihesh.
Ai e përfundoi fjalimin duke falënderuar shqiptarët që e kanë mbështetur dhe duke vlerësuar vendimin e administratës amerikane që, sipas tij, i mundësoi rikthimin në Shtetet e Bashkuara.
Berisha:
"Për ne sot, kjo është një ditë jo e zakonshme. Sot është një ditë që për mua përsëri ngjall emocione. Është një ditë që shumëkush e ka menduar të pamundur. E ka menduar si një ditë që nuk do ta shihnim ndonjëherë. Sepse, le të jemi të sinqertë, shumë prej nesh të paktën një herë ose më shumë kemi pyetur veten: kush jemi ne? Kush jemi ne për të sfiduar një padrejtësi, kur ajo padrejtësi bëhet nga forca shumëfish më të mëdha se ne. Jo pak herë kemi pyetur veten këto vite, kush jemi ne, që zëri ynë i të drejtës të dëgjohet në një botë ku për fat të keq gjithmonë e më shumë po sundohet nga e padrejta. Kush jemi ne që të qëndrojmë të fortë kur në momente të caktuara e gjithë bota dukej kundër nesh. Këto janë pyetje që vërtet të bëjnë të ndihesh i vogël në një botë të madhe.
Këto janë pyetje që të bëjnë të ndihesh i pafuqishëm përballë padrejtësive shumë të fuqishme. Por kjo pyetje, kush jemi ne, ka një përgjigje, e cila përjetësisht do jetë, do jetë burim i pashtershëm i fuqisë sonë për të bërë të pamundurën të mundur. Ne jemi shqiptarë! Sepse ne jemi shqiptarë dhe qëndrojmë e luftojmë të pamposhtur për dinjitetin tonë. Sepse ne jemi shqiptarë, luftojmë dhe qëndrojmë të vendosur për familjet tona. Ne jemi shqiptarë, ndaj dhe luftojmë në kushtet më të pabarabarta për kombin tonë, dinjitetin dhe lirinë e tij. Ne jemi shqiptarë, ndaj dhe nuk dorëzohemi. Prandaj ditë si kjo, të pamundura ne i bëjmë të mundura. Zoti ju bekoftë! Kjo ditë shënon pra një nga ato raste, forcë e të keqes që të gjithë e njohim në një agresion të padrejtë ndaj dinjitetit tim, më mohoi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 4 vite më parë.
Në një kohë kur unë isha, 8 vite pa asnjë pushtet, thuajse i tërhequr plotësisht nga jeta politike. Por, me fuqinë që na karakterizon ne si shqiptarë, me besimin e palëkundur tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky vend e komb i madh, vend i të lirëve, shtëpi e guximtarëve. I qartë si kristali se kjo padrejtësi nuk po vinte nga Shtetet e Bashkuara, por po vinte nga axhendat antiliri, antikomb, të asaj që vetë presidenti Donald Trump e ka emërtuar si ekstremi i majtë. Duke mbajtur në mend shprehjen e një prej burrave më të ndritur dhe legjendarë të kombit të madh amerikan, Abraham Lincoln, i cili thotë se ‘rëndësi nuk ka sa herë rrëzohesh, por sa herë ngrihesh’. Dhe unë, dhe unë vendosa të ringrihem. Vërtet e nisa këtë betejë në pamje të parë në pamundësi të plotë.
Në errësirë. Por asnjë natë, asnjë natë nuk zgjat dot pafundësisht. Në të njëjtën kohë që unë zhvillova këtë betejë, populli i madh amerikan vendosi të ringrihet duke zgjedhur si president Donald Trump në nëntor të vitit 2024. Pak nga pak, bota e lirë filloi të ringrihet nga agresioni i ekstremit të majtë, dhe efektet erdhën deri në Shqipëri. Ata që na treguan ne barin, përfunduan të papunë. Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë non-grata vetë në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri, sot janë prapa hekurave, ndërsa unë sot po qëndroj me dy këmbë mbi atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë. Ndaj dhe unë sot, kam një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, burra, gra, djem dhe vajza, shqiptarë të vërtetë që më mbështetët në orët më të para por dhe ndër më të vështirat. Mirënjohje të pakufishme ndaj administratës së presidentit Donald Trump, sekretarit të Departamentit të Shtetit, Marco Rubio, për vendimin e tij," tha Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






