Transmetuar më 06-09-2026, 17:12

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se Greqia mbështet perspektivën europiane të Shqipërisë, por ka paralajmëruar se Athina do të kërkojë përmbushjen e detyrimeve lidhur me pronat dhe të drejtat e minoritetit grek.

Gjatë konferencës tradicionale për shtyp në kuadër të Panairit të 90-të Ndërkombëtar të Selanikut, Mitsotakis u shpreh se progresi i Shqipërisë në regjistrimin e pronave dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit nuk është ende i mjaftueshëm.

“Progresi që është bërë në regjistrimin e pronave dhe në mbrojtjen e të gjitha të drejtave nuk është i mjaftueshëm. Të jeni të sigurt se, në momentin e duhur, do të ushtrojmë të drejtat tona për t’u siguruar që të drejtat e minoritetit mbrohen plotësisht”, deklaroi kryeministri grek.

Mitsotakis theksoi se çështjet me Shqipërinë nuk janë vetëm pjesë e marrëdhënieve dypalëshe, por lidhen edhe me respektimin e së drejtës europiane. Sipas tij, procesi i hapjes dhe mbylljes së kapitujve të negociatave kërkon edhe miratimin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Kreu i qeverisë greke bëri një dallim të qartë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke deklaruar se Tirana ndodhet në një fazë më të avancuar të procesit të integrimit europian.

“Për Maqedoninë e Veriut, në thelb, nuk ka asnjë progres në negociatat europiane. Prandaj jemi në një fazë shumë më të hershme krahasuar me Shqipërinë”, u shpreh Mitsotakis.

Deklaratat e kryeministrit grek vijnë në një moment kur Shqipëria vijon procesin e negociatave për anëtarësimin në BE, ndërsa çështjet e pronave dhe të drejtave të minoritetit grek mbeten pjesë e diskutimeve mes Tiranës dhe Athinës.

Konferenca e Mitsotakis u zhvillua një ditë pas prezantimit të një pakete të gjerë masash ekonomike në Greqi, që përfshin rritje pagash e pensionesh, ulje taksash dhe mbështetje për familjet, fermerët dhe bizneset. Masat janë prezantuar në kuadër të programit të qeverisë për një mandat të tretë, nëse ajo fiton zgjedhjet parlamentare të parashikuara për pranverën e vitit 2027.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit